Akuzohej për abuzime me tenderat, pranga pas 5 ditëve në arrati ish-drejtorit të IT në Ministrinë e Drejtësisë


Lysien Ali, i njohur si ish-drejtori i IT-së në Ministrinë e Drejtësisë që është pjesë e grupit të zyrtarëve që kanë abuzuar me tenderat, është arrestuar pas 5 ditësh në kërkim nga policia, pasi më parë Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën arrest me burg për të.


Zyrtari në fjalë akuzohet për abuzim me tenderë me vlerë disa miliona euro.


Duke mos aluduar për pagën apo pasurinë e tij, nga një vëzhgim i thjeshtë në rrjetet sociale, mund të kuptojmë se Lysien Ali është i pasionuar pas udhëtimeve dhe kryesisht atyre në vende luksoze.


Ai ka publikuar dhjetëra foto nga udhëtimet e tij në vende të ndryshme të Europës, si Kroacia, Mal i Zi, Viena etj.







Lysien Ali është diplomuar në vitin 1996 nga Universiteti Politeknik i Tiranës, ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë ka filluar punë në vitin 2010.


Prej disa kohësh, ai është edhe pedagog në  Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan.


Ali është pjesë e grupit ku gjendej edhe Juliana Hoxha, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, për 8 prej të cilëve Gjykata ka vendosur masën detyrim paraqitje.


Operacioni u zhvillua më 6 shkurt dhe ish-zyrtarët akuzohen se kanë abuzuar me 5 tendera të MD në vitet 2016-2017, ndërsa në verifikim për çështjen janë edhe ish-ministrat e LSI, Ylli Manjani dhe Petrit Vasili.