Adem Demaçi





Prishtinë, 11 Janar, 12:00, NOA/INA - “Le të hapen të gjitha dosjet, menjëherë. Atyre që sot janë në pozita vendimmarrëse, sikur të ishin patriotë të vërtetë, ndërsa dihet që kanë bashkëpunuar me okupatorin, nuk duhet t`iu lihet vend sot ku merren vendime. Jugosllavia ishte një prej regjimeve më shtypëse dhe më të egra që kanë përjetuar shqiptarët”, ka theksuar për gazetën "Express" Adem Demaçi, i njohur edhe si Mandela shqiptar.

Ky është qëndrimi i njeriut që ka vuajtur më së shumti dënim me burg në kohën e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, Adem Demaçit. Aktivisti 73- vjeçar, pas debatit që ka hapur gazeta Express për procesin e lustracionit të periudhës së komunizmit, thotë se mijëra shqiptarë janë vrarë, persekutuar, burgosur e dëbuar nga trojet e tyre me nënshkrimin e Ali Shukriut, Fadil Hoxhës, Kolë Shirokës, Sinan Hasanit dhe pjesës së nomenklaturës udhëheqëse të komunistëve jugosllavë nga Kosova.

Për mendimin e Demaçit, Jugosllavia që nga vitet 1945 e deri më 1990, për shqiptarët ka qenë njëra ndër regjimet shtypëse dhe më të egra.

Gjithë ata që kishin punuar dhe kontribuuar në mbajtjen e atij regjimi, ai pa ndonjë hezitim i quan kolaboracionistë. Sipas tij, ata persona që kanë qenë të përfshirë në atë regjim, e që sot punojnë në institucionet e Kosovës, thotë se duhet larguar menjëherë nga këto pozita.

INA/NOA