cobaniNga Anila Çobani


 


Këto ditë të fundit të gushtit, jo vetëm në tituj gazetash, por dhe në biseda të bëra në kafenetë e mëngjesit apo pasdites, tema më e diskutuar është ajo se çdo të ndodhë me administratën shtetërore në shtator.


Për hir të së vërtetës, për shumë njerëz kjo nuk përbën lajm, pasi eksperienca e ndërrimit të pushteteve në Shqipëri ka konservuar modelin e saj!


Shumë do e konsideronin si model PD-ist! Model hakmarrës për ata që nuk janë në një mendje me modelin e dy gishtave përpjetë, apo me filozofinë që pa teserë nuk mund të sigurosh një vend pune.


Në fakt, po tiu referohesh premtimeve të liderëve të së majtës në fushatë elektorale, absolutisht nuk flitet për spastrime apo urrejtje e mllef klasor kundër atyre që mendojnë e votojnë ndryshe.


Përkundrazi, është shpalosur një program i qartësuar për një administratë tërësisht profesionale dhe përulësisht në shërbim të qytetarit.


Në fakt, votuesit shqiptarë për këtë votuan masivisht.


Vota e tyre tregoi që ishin lodhur me arrogancën e pushtetit (këtë e thonë dhe vetë zëra të qenësishëm brenda PD) dhe sjelljen aspak profesioniste të drejtuesve apo punonjësve të administratës së djathtë.


Filozofia e punësimit të ushtarit të paaftë dhe mentaliteti i krahinizmit, e bënë administratën në këto ditë gushti të jetë në hallakatjen më dëshpëruese të këtyre 8 viteve.


Një vend i pamerituar, një vend pa konkurrencë dhe aftësi, nuk është vendi ku mund të qëndrosh me dinjitet dhe i pafriguar që me ndërrimin e pushteteve do e humbësh atë.


Fare rastësisht shoh në një material të publikuar në internet listën e punonjësve të një administrate që për arsye të viteve që unë kam punuar atje, e njoh mirë!


Njerëz të rekrutuar, pa meritë e pa konkurrim! Shumë prej tyre me arsimim që as ka lidhje me vendin e shpërblyer, shumë prej tyre pa eksperiencë pune, dhe të mendosh që kanë zëvendësuar profesionistë të vërtetë që për shkak te vokacionit të tyre janë larguar nga detyra dhe me VKM qesharake, të tipit shkurtim i vendit të punës.


Ligji i ri i miratuar pak kohë më parë nga parlamenti për Statusin e Nëpunësit Civil, i ka të përcaktuara qartë dhe specifikisht mënyrën e punësimit apo largimit të një punonjësi nga ky shërbim.


Në këtë dokument shprehet qartë qëndrimi ligjor ndaj përkatësisë politike dhe konkurrimit rigoroz pa harruar dhe përqasjen ndaj konfliktit të interesit. Çdo emërim në pozicion ekzekutiv në kundërshtim me këtë nen është absolutisht i pavlefshëm


Ne fakt ka ekzistuar një ligj për Shërbimin Civil, jo më pak ligjor se ky i sapomiratuari!


Po a u konsiderua si ligj për funksionim ky kur pas 2005 u flakën me qindra specialistë nga administrata shtetërore?


A u denjua të dëgjoheshin dhe thirrjet e Këshillit të Europës që dënonin spastrimet politike dhe mbronin dinjitetin profesional të qindra punonjësve të trajnuar dhe nga vetë  këto organizma dhe partnerët e tyre?


Unë nuk jam për spastrime në administratë! Aspak për spastrime politike! Por ama jam për rikthimin në punë të atyre punonjësve që sot mbajnë në duar vendimet e gjykatave për rikthim në punë, vendime që dergjen në sirtarët e drejtorive të Burimeve Njerëzore që gjatë këtyre 8 viteve u përfaqësuan nga eminenca gri të pushtetit.


Nuk jam dhe për atë që siç e thoshte dikush para disa ditëve në një media të pavarur ai dikur ka shkruar kundër!


Pra, një njeri që përfaqëson profesionalizmin dhe ndjenjën e qytetarisë, ka background-in dhe merita absolute, ska pse ska pse të ikë!


Dhe, jam e bindur, ose më saktë jam besimplotë që kështu do të ndodhë.


Sikur do të shpresoja në rikthimin në punë të atyre që pa të drejtë iu mohua vendi i punës nga injorantët dhe ushtarët e pushtetit!


CV e tyre janë eksperienca e shumë e shumë viteve punë. Pas 8 vitesh, disa prej tyre janë dhe shumë afër pensionit. Por ata e meritojnë të rikthehen në vendin e mohuar, në vendin e marrë brutalisht e shumë herë dhe harbutërisht.


Nëse do të besoja në ato qe thotë lideri i opozitës, Lulzim Basha, për ngritjen e atyre zyrave është koha ta bëjë!


Janë me mijëra vendime gjykatash që vetë ky zotëri nuk i ka zbatuar, si njëherë kur flaku njerëzit si Ministër Transportesh, si atëherë kur dëboi me qindra e qindra ushtarakë profesionistë e të ndershëm si Ministër i Brendshëm, si dhe së fundmi kur spastroi mizorisht administratën e Bashkisë së Tiranës duke lënë pa bukë dhe varrmihësit e funeraleve!


Unë besoj se erdhi më në fund koha që punës ti gjendet njeriu, dhe jo njeriut puna!


Ka ardhur koha ku Nëpunësi Civil të konsiderohet Nëpunës i Shtetit dhe jo shërbëtor apo besnik i pushtetit apo familjes. Ata duhet të jenë subjekt i parimeve ligjore dhe rregullave që rrjedhin nga vendosja e tyre specifike në strukturën hierarkike të shtetit!


Rregullorja e sapomiratuar synon të vendosë rregulla në kryerjen e detyrës së një nëpunësi civil në një shoqëri demokratike.


Me fillimin e punës nga qeveria së re, sfida është e hapur! Administrata? Po! Duhet pastruar nga të paaftët! Të devotshmit dhe profesionistët i ka me mijëra ky vend! E bekuar është ajo qeveri që i vë apo i rikthen në shërbim të shtetasve të vet!