EDMOND ÇATA


Administrimi publik është shpërfaqur në këto 3-4 vitet e fundit si një nga fushat për të cilën po flitet dhe po i kushtohet një vëmendje gjithnjë e në rritje. Në Konferencën e organizuar nga Departamenti i Administratës Publike dhe Ministria e Brendshme  në korrik 2011, Kryeministri Berisha jo vetëm theksoi rëndësinë që ka administrimi publik  për një qeverisje e reforma efektive, por dhe sugjeroi një orientim më të madh të vëmendjes dhe energjive të qeverisë e universiteteve drejt kultivimit të një kulture dhe tradite shqiptare të Administrimit Publik, por edhe premtoi se qeveria do mbështesë, ligjërisht dhe financiarisht, çdo iniciativë në këtë drejtim. Kryeministri Berisha madje shkoi edhe më tej, kur tha që qeveria e ka objektiv madhor dhe është gati të hapë një shkollë të administratës publike sipas modelit francez të Grand Ecole-s, madje i ka kërkuar qeverisë franceze ndihmë për realizimin e kësaj.

Që ideja e Administrimit Publik, ndërgjegjshëm apo jo, po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e ambientit shqiptar, kjo duket jo vetëm në krijimin brenda strukturës së qeverisë të Departamentit të Administratës Publike, por edhe në tentativa të tjera, të tilla si paketa ligjore për shërbimin civil apo futja e elementëve të Administrimit Publik nëpër universitetet publike apo private. Por, pavarësisht nëse Kryeministri e mban apo jo premtimin e tij, nëse shkolla e administratës publike ngrihet apo jo sipas modelit francez apo me ndihmën e qeverisë franceze, nëse universitetet publike apo private do i bëjnë apo jo vend programeve të plota akademike në Administrim Publik, çështja që qëndron përpara e ka nevojë të sqarohet, është nëse ky ndërgjegjësim rreth rolit dhe rëndësisë së Administrimit Publik është aq i madh mes të rinjve që synojnë tu hyjnë studimeve universitare, punonjësve aktualë të administratës burokratike shqiptare, universiteteve apo edhe vetë qeverisë shqiptare, saqë ky ndërgjegjësim të arrijë të përkthehet në realitetin praktik në një riorientim masiv të interesave e përpjekjeve të individit, universiteteve, dhe administratës drejt një formimi me bazë në Administrim Publik.

1. Administrimi Publik: Përse përfaqëson një fushë të rëndësishme?

Në kuptimin më të thjeshtë, Administrimi Publik përfaqëson një ndërthurje të politikës me burokracinë, pushtetit politik me aftësitë administruese, politikëbërjes e vendimmarrjes me faktorët influencues, publikes me privaten. Shkurt, ai përfaqëson një përzierje mes proceseve, individëve, organizatave, autoriteteve, të cilat i lidh me njëri-tjetrin avancimi i interesave publikë apo privatë, formulimi, menaxhimi dhe zbatimi i politikave dhe programeve e veprimi në përputhje me ligjet dhe rregullat.

Përse Administrimi Publik del i rëndësishëm për çdo shoqëri, kjo e ka bazën te një fakt i thjeshtë: Vetë administrimi përfaqëson një element të pandashëm të jetës së individit, grupit, shoqërisë, shtetit. Siç administron një individ potencialin, kapacitetet, jetën e vet, ashtu edhe grupi, shoqëria, shteti administrojnë të tyret. Nuk ka shoqëri e shtet pa dimensionin publik! Ku ka sferë publike, ka nevojë edhe për administrim! Por, përtej faktit e të qenët një realitet i pashmangshëm, që karakterizohet nga burokratizimi i marrëdhënieve mes individëve, grupeve, institucioneve, rritjes së ndërhyrjes e rolit rregullator të qeverisë, rritjes së burokracisë dhe vlerësimeve pozitive apo negative të publikut, rëndësia e Administrimit Publik rrjedh nga katër elemente kryesore mbi të cilat ngrihet ai: konteksti politik, konteksti organizativ, dimensioni menaxherial dhe raporti me ndryshimin si fenomen.

Parë nga konteksti politik, Administrimi Publik ngërthen strukturën, funksionimin, karakterin dhe marrëdhëniet mes pushtetit qendror e lokal, përplasjet dhe rregullimin e publikes me privaten, sistemin e vlerave politike dhe administrative në themel të shoqërisë në përgjithësi, e shoqërisë politike në veçanti, apo raportet e shoqërisë, qeverisë, politikëbërësve me dijen. Nga ky kontekst, Administrimi Publik del i rëndësishëm jo vetëm sepse nuk e shmang dot, por edhe për shkak të karakterit dyanësh të influencës së tij: nga njëra anë, Administrimi Publik dhe cilësia e shërbimeve, programeve dhe politikave të tij reflektojnë karakterin e marrëdhënieve mes pushtetit qendror e lokal dhe vlerat që bartin individët, politikëbërësit dhe institucionet për publiken dhe privaten, dijen dhe reformat; Nga ana tjetër, këto të fundit influencojnë mbi kontributin e Administrimit Publik në qeverisjen e mirë dhe efektive. Parë nga konteksti organizativ, Administrimi Publik ngërthen marrëdhëniet njerëzore brenda organizatave, kulturën e vendimmarrjes, karakterin e lidershipit dhe politikëbërjes, si dhe sfidat e bashkëveprimit në grup. Nga kjo anë, Administrimi Publik del i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me të pasurit nga individi të aftësisë për të dalë nga niveli individual i marrëdhënieve e zgjidhjeve të problemeve te ndërtimi i marrëdhënieve, programeve, politikave, në nivele strukturale si ato të grupit, institucioneve, shtetit, strukturave në marrëdhëniet mes shteteve; ka të bëjë me karakterin pozitiv apo negativ, demokratik apo jo, të vlerave politike dhe administrative mbi të cilat ngrihet dhe realizohet politikëbërja dhe vendimmarrja; ka të bëjë me  karakterin vizionar ose dritëshkurtër të lidershipit; dhe mbi të gjitha, ka të bëjë me faktin se si i përball sfidat dhe i zgjidh problemet që nga individi e menaxheri publik apo privat, deri te politikëbërësit dhe liderët politikë, d.m.th. nëse problemet dhe perspektivat shihen mbi bazën e respektimit të dijes apo mbi bazën e intuitës individuale e mballosjeve të problemeve në mënyrë ala institucionale, në fakt, shqiptarçe! Parë nga konteksti, nga dimensioni manaxherial, Administrimi Publik (por edhe privat) ngërthen sfida të tilla si menaxhimi i burimeve njerëzore e materiale, procesin e hartimit të buxhetit, procesin e politikëbërjes dhe rolin rregullator të qeverisë. Edhe këtu, Administrimi Publik del i rëndësishëm për individin, grupin, shoqërinë, sepse ka të bëjë më faktin nëse burimet njerëzore menaxhohen mbi bazën e preferencave partiake apo të meritokracisë; nëse hartimi i buxhetit ka karakter horizontal apo vertikal, është gjithëpërfshirës apo diskriminues, reflekton interesa të çastit apo hierarki përparësish; nëse politikëbërja e mban syrin nga e ardhmja dhe e mira publike, apo nga koniunkturat e momentit dhe interesa të disa grupeve të fuqishme, udhëhiqet nga gatishmëria për reforma apo preferenca për tiu përmbajtur statuskuosë. Dhe, mbi të gjitha, nëse roli rregullator i qeverisë, praktikat dhe tendencat decentralizuese apo rregulluese kuptohen drejt, përkthehen në realitete produktive dhe vërtet janë në funksion të mbrojtjes së interesit publik apo përdorimi i mekanizmit të ndërhyrjes së qeverisë, menaxheres ditore të shtetit, përdoret për të avancuar interesat e një apo disa grupeve dominante në shoqëri.

Së fundi, parë nga konteksti i marrëdhënieve mes administratës publike dhe ndryshimeve sociale, Administrimi Publik ka të bëjë me karakterin demokratik apo jo të marrëdhënieve brenda administratës, mes administratës dhe politikëbërësve politikë, pranimin apo refuzimin e ndryshimeve që përshkojnë shoqërinë. Administrimi Publik del i rëndësishëm këtu, pikërisht për faktin se nëse Administrimi Publik i paraprin apo thjesht tërhiqet zvarrë, në bisht të ndryshimeve, përcakton edhe cilësinë e qeverisjes, të publikes, të individit si qytetar e taksapagues. Këto elemente nuk e bëjnë Administrimin Publik të rëndësishëm thjesht se bëhet fjalë për kontekstin shqiptar. Administrimi Publik është i rëndësishëm sepse në mënyrën weberiane, ai dallon shoqëritë moderne nga ato paramoderne, funksionale nga ato disfunksionale, normale nga ato anormale, shoqëri të afta për tu përballur me problemet që gjenerohen qofte nga njeriu, qoftë nga natyra, nga shoqëritë që nuk janë as të afta për tu përballur suksesshëm as me krizat njerëzore, as, ca më shumë, me krizat natyrore, por sapo u bie një fatkeqësi, ngrenë duart lart dhe gjëja e vetme që dinë të bëjnë është të