Milano-Gilmar Rinaldi, agjenti i sulmuesit brazilian do të shkojë në Itali para fundjavës, më saktësisht të premten. Qëllimi është për të zyrtarizuar divorcin e Adrianos me Interin nëpërmjet një prishje konsensuale të kontratës qysh të shtunën në mëngjes. Koha është e shkurtër dhe pritet që divorci të zyrtarizohet sa më shpejt. Sipas lajmeve që vijnë nga Amerika e Jugut, pritet që Adriano të firmosë menjëherë një kontratë katër vjeçare me Flamengon.



Në fakt divorci dukej edhe opsioni më i favorshëm për të dyja palët. Adriano nuk po gjente dot veten tek Interi dhe ngushëllohej shpeshherë me alkoolin dhe jetën e natës. Edhe ekipi italian s’do të ketë më kokëçarje me jetën prej joatleti të një lojtari dhe shpëtojnë edhe nga rroga 4 milion eurosh dhe rendimenti skarso i sulmuesit brazilian. Në vend të Adrianos pritet që Interi të blejë Diego Militon nga Xhenoa.