Si nisi historia e ndërtimit të Aeroportit?



Një piste dheu e vogël sa për te plotësuar kërkesat e asaj kohe është hapur gjate qeverisjes se Zogut rreth 7 km nga Kukësi ne drejtim te Peshkopisë paralel me malin e Gjallicës. Gjate periudhës komuniste kjo piste ka shërbyer si piste ushtarake për qëllime emergjente. Gjate periudhës se tranzicionit ajo vazhdonte te ishte zone ushtarake.



Ka qene viti 1999 kur Kosovaret te detyruar nga gjenocidi serb nisen shtegtimin drejt Shqipërisë. Shumë familje u strehuan ne shtëpitë e shqiptarëve dhe pjesa e mbetur u vendosen ne kampet e ngritura për këtë qellim. Një nga kampet më të mëdha për të strehuar këto familje u ngrit në fushën e Gostilit në dalje të qytetit të Kukësit me ndihmën e Emirateve te Bashkuara Arabe (EBA). Një grup inxhinieresh ushtarakë nga EBA erdhën ne Kukës dhe kryen disa përmirësime minimale për të mundësuar uljen e avionëve për ndihma. Dëshmitarë të asaj kohe tregojnë se një avion Boeing i madh u ul ne pistën e dheut duke ngritur lart një re te madhe pluhuri. Këtu lindi edhe ideja e një aeroporti modern. Inxhinieret ushtarake me iniciativën e tyre i kërkuan kreut të qeverisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Princit Zayed, ta kthenin këtë aeroport në modern dhe të kohës. Pas propozimit të qeverisë arabe qeverisë shqiptare të asaj kohe e kryesuar nga Z. Fatos Nano u deshën rreth 4 vjet që kjo ide të kthehej ne realitet. Me 10 Maj 2003 u bë edhe inagurimi i fillimit te punimeve me pjesëmarrjen e kryeministrit shqiptar dhe përfaqësues te qeverise se Emirateve te bashkuara Arabe.



Ndërtimi i Aeroportit



Aeroporti u ndërtua sipas parametrave teknike te parashikuar. Gjate ndërtimit pengesa me e madhe ka qene problematika lidhur me kompensimin e tokave qe zinte zgjatimi i pistës dhe rruga lidhëse me rrugën nacionale.

Acarimi i pronareve shkonte deri ne pengimin e vazhdimit te punimeve. Si rezultat afati i përfundimit te punimeve u shty deri ne 31 tetor 2005.



Një pike tjetër e ndjeshme ka qene edhe ndërtimi i një xhamie te vogël pranë terminalit aeroportit. Një dhome e vogël faljeje për myslimanet ishte menduar ne projektin origjinal brenda godinës se terminalit. Por meqenëse komuniteti i fshatit Shtiqen ne takimet me grupin përfaqësues te EBA i patën kërkuar edhe financimin e një xhamie për fshatin, grupi përfaqësues vendosi t’a eliminonte dhomën e faljes brenda terminalit dhe te ndërtonte një xhami pranë terminalit ne një pozicion qe nuk pengonte as kullën e kontrollit. Me këtë rast u fituan sipërfaqe brenda terminalit. Mirëpo ndërtimi i një xhamie pranë aeroportit beri një jehone brenda strukturave te shtetit shqiptar i cili u vu ne lëvizje për pengimin e punimeve aty. Sot pas përfundimit te punimeve te gjithë aeroportit një godine me tulla dhe e pa përfunduar qëndron pranë terminalit.

Punimet përfunduan me 31 tetor 2005, por pajisjet e kontrollit ajror qe kushtojnë rreth 3 000 000 USD, te cilat ishin detyrim i qeverise shqiptare, nuk u vendosen. Qeveria e Emirateve e vendosur ta vinte ne pune aeroportin ia ofroi qeverise Shqiptare përsëri falas edhe pajisjet te cilat aktualisht janë ne montim e sipër.





Çfarë e pret Aeroportin e dytë civil të Shqipërisë?



Deri ne inaugurimin e fillimit te punimeve Qeveria shqiptare nuk e pat marre seriozisht Aeroportin e Kukësit. Qeveria shqiptare me tepër e ka pare aeroportin si një shpenzim me tepër qe i shkaktohet buxhetit te shtetit. Për menaxhimin e aeroportit kërkohet minimalisht rruajtja dhe siguria me njerëz dhe automjete, police te rendit publik, doktor dhe dhome mjekësore emergjente, ngritja e një pike doganor, shërbimi aeroportual i transportit te mallrave dhe pasagjereve, ekuipazh i zjarrëfiksave, staf i kualifikuar për kontrollin ajror, administrate aeroportuale, teknike për pajisjet mekanike, elektrike dhe elektronike. Qeveritë shqiptare qe përballen me një sfide te tille kërkojnë t’a shtyjnë futjen ne pune te këtij aeroporti.



Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil nuk ka kryer një fizibilitet te shërbimeve qe priten te kryhen ne këtë aeroport. Ne 2004 kur ky aeroport nuk ishte më një ide por po zbatohej qeveria shqiptare lidh një kontratë koncesioni për aeroportin e Tiranës, ku i jepet firmës konçesionare ekskluzivitetin e uljeve dhe ngritjeve ndërkombëtare nga Shqipëria dhe drejt Shqipërisë. E thënë ndryshe çdo fluturim ndërkombëtar duhet te fillojë nga Aeroporti i Tiranës dhe çdo linjë që vjen nga jashtë duhet të përfundojë ne Aeroportin e Tiranës. Pra aeroportet e tjera mbeten vetëm për fluturime brenda vendit. Kjo i pengon perspektiven jo vetëm aeroportit te Kukësit por edhe 2 te tjerëve qe mendohen te ndërtohen për qëllime turistike: atë të Sarandës dhe Vlorës.





Atëherë për se shërben ky aeroport?



Banoret e Kukësit dhe rrethinat nuk pritet që ta shfrytëzojnë këtë aeroport për të ardhur në Tiranë dhe anasjelltas për dy arsye: e para banoret nuk janë ekonomikisht te pasur dhe çmimet do te jenë tej mase të shtrenjta në krahasim me një biletë autobusi, dhe e dyta me ndërtimin e rrugës së re që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe që kalon nga Kukësi, distancat kohore do të bëhen të krahasueshme ndërmjet transportit ajror dhe atij tokësor, ndërsa biletat përkatëse jo. Po ashtu zona e Kukësit nuk ka facilitetete dhe mundësi turistike, te paktën deri tani, te përshtatshëm për te tërhequr. Ndërtimi i aeroportit mund te nxisë ngritjen e turizmit malor por ende nuk ka ndonjë lëvizje për te promovuar diçka te tille.





Pra me këto kushte Aeroporti i Kukësit mbetet vetëm ne shërbim te shqiptareve te Kosovës, meqenëse ky aeroport është vetëm 45 km nga Prizreni dhe rreth 120km nga Prishtina. Përveç kësaj pritet qe edhe biletat te jene me te lira, pasi agjencive ajrore do t’u kushtoje me lire shfrytëzimi i këtij aeroporti sesa shfrytëzimi i një aeroporti nacional si Tirana apo Prishtina. Shfrytëzimi i këtij aeroporti lejon me tepër fleksibilitet ne rregullimin e orareve te uljeve dhe ngritjeve sipas trafikut ajror.



Një tjetër mundësi shfrytëzimi janë edhe zbritjet e detyrueshme te fluturimeve drejt Prishtinës ne rastet kur ne ketë te fundit ka mjegull, çka ndodh jo rralle.



Një mundësi tjetër do te ishte edhe promovimi i aeroportit si aeroport tranzit për linjat e largëta te pasagjereve dhe mallrave dhe furnizimin me karburant, meqë tarifat e shfrytëzimit te këtij aeroporti do te jene me te ulëta. Por gjithsesi për këtë duhet te rishikohet ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare dhene firmës konçesionare te aeroportit te Tiranës. Gjithsesi mbetet për t’u vlerësuar dhe studiuar se sa është fluksi i fluturimeve dhe sa trafik mund te tërhiqet ne këtë aeroport.



Deri atëherë aeroporti mbetet një monument ne diell, gjithsesi shenje e dashurisë se popullit arab ndaj popullit shqiptar.