Asnjëherë nuk e kam menduar të divorcohem nga bashkëshorti. Ai është një njeri i mrekullueshëm, punëtor dhe korrekt.


Kështu shprehet në një intervistë për Panorama bashkëshortja e kryebashkiakut të Peshkopisë, Shukri Xhelili, i cili në ditët e fundit ka përjetuar një situatë të vështirë, pas videos që qarkulloi nëpër media.


Për Tefta Xhelilin, nuk ka qenë e lehtë të përballojë gjithë këtë histori, por siç ajo shprehet, tashmë është e qartë se gjithçka që ka ndodhur është një inskenim për të goditur politikisht të shoqin dhe për ti marrë atij Bashkinë.


Natën e publikimit të videos Shukes iu drejtova me fjalët: Ngrije kokën lart. Do të më kesh në krah deri në vdekje, shprehet Tefta Xhelili.


Duke folur për Panorama, zonja e parë e Peshkopisë shprehet se bashkëshorti i saj po goditet nga persona me pushtet politik, ekonomik dhe ndoshta më tej, të cilët synojnë të marrin Bashkinë e Dibrës.


Pas kësaj që ndodhi, familja Xhelili do të jetë më e bashkuar, më e fortë dhe më solide. Jam e befasuar kur shoh në disa media kolegë dhe vartës të Shukriut që çfarë nuk thonë e sajojnë, ndërkohë që kur ai ishte në detyrë, i serviloseshin dhe i rrinin pas ngado, shprehet më tej ajo.


Gjatë gjithë reagimit, bashkëshortja e kryebashkiakut shprehet në krah të të shoqit. Edhe gjatë këtyre ditëve, sipas të njohurve të saj, ajo e ka demonstruar më së miri këtë mbështetje, duke pritur e përcjellë mjaft miq të familjes, të cilët i kanë qëndruar afër Shukri Xhelilit.


Tefta Xhelili, nëna e dy djemve, vjehrra e dy nuseve dhe një mbese, thotë se i shoqi i ka kërkuar ndjesë me mënyrën e tij, pas publikimit të kësaj videoje.


Shukriu gjatë gjithë kohës më thoshte se e di që të kam vënë në siklet.


“Unë do ta mbështes tim shoq. Edhe fëmijët nuk janë ndjerë mirë, por të gjithë së bashku po i kapërcejmë këto momente të vështira, shprehet më tej Tefta Xhelili.


Ajo nuk e përmend në asnjë moment vajzën 20- vjeçare, protagoniste e videos që tashmë bëri bujë mediatike.


Gjatë këtyre ditëve, ajo nuk është paraqitur në punë, ndërsa ka pritur e përcjellë ata që familja e saj i konsideron miq të vërtetë.


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter