Afërdita Meçe Shijaku ishte një nga nxënëset që kreu Liceun Artistik Jordan Misja gjatë viteve 1958-1962, në degën e qeramikës. Konstruktimi i formës së portretit, zbulimi i psikologjisë me mjete realiste si dhe parimi i ndërtimit të figures apo grupit figural, me realizimin rigoroz të detajeve, përbënte në bazën e programit mësimor të Liceut Artistik në ato vite dhe e trupës pedagogjike të saj.


Serioze, këmbëngulëse dhe e pasionuar ndaj artit të skulpturës, nxënësja Afërdita Meçe dallohej nga bashkmoshatarët e saj të klasës. Afërdita ishte ushtruar fillimisht në kursin e vizatimit të Pallatit të Kulturës Ali Kelmendi, Tiranë.


Pas studimeve të mesme Afërdita vazhdoi studimet në Institutin e Arteve, që sapo ishte çelur në Tiranë nën drejtimin e skulptorëve Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe në mënyrë të veçantë të skulptorit dhe pedagogut Shaban Hadëri, i cili ishte dhe pedagogu i saj ku dhe e ka ndjekur gjatë pesë viteve të studimeve. Në vitin e tretë si studente, ajo bashkëpunoi si piktore – ilustratore me revistën Pionieri dhe gazetën Rinia.


Nga pedagogu i saj Hadëri, Afërdita, fitoi mënyrën e realizimit të një plastike të ngrohtë, në konstruktimin e figurës njerëzore gjatë punës me modelet akademike. Nga arti botëror më pëlqente dhe admiroja artin e Rilindjes Italiane si dhe arti i realizmit rusEdhe pse programet akademike të Institutit të Arteve, Tiranë (të atyre viteve), ishin të ndikuara dhe ndiqnin platformën e artit të realizmit socialist sovjetik, studimi i portretit, figurës njerëzore dhe grup figurash njerëzore përbënin bazën e programeve gjatë katër viteve studentore.


Afërdita pas skulptores Kristina Koljaka (Hoshi) e diplomuar në Itali (Romë), sëbashku me Valentina Ballin ishin skulptoret e para të diplomuara në shkollën e parë të lartë të arteve figurative shqiptare në vitet 1960-1970. Diploma e saj Aksionistja, pati vlerësimet më pozitive dhe evidentoi tek skulptorja e re aftësitë e saj për të ndërtuar figura me prirje monumentale dhe me dimensione mbi natyrale.


Ajo që në fillimin e jetës artistike pas studimeve u prezantua në ekspozitën kombëtare të kohës (1969) me një portret të kompozuar zboristeje të titulluar Gjithmonë gati. Në vitet 1970-1990, politizimi i skajshëm i jetës artistike në Shqipëri ishte mjaft i dukshëm veçanërisht në manifestimet kombëtare (konkurse dhe ekspozita).


Impenjimi politik i artistëve si ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave, partishmërisë në art, frymës popullore, ishte një detyrim dhe prirje e pashmangëshme në të gjitha ekspozitat e kohës. Skulptura si dhe gjinitë e tjera të artit edhe pse në ndonjë rast disa artistë u munduan të paraqiteshin me shprehje të reja figurative, mbetën në kufijtë e figurës realiste, shpesh tregimtare dhe ilustrative. Vetëm në pak vepra u dukën dhe u shuan ndikimet e një plastike impresioniste, kubiste, moderne.


Pas vitit 1973, forcimi i kalimit drejt izolimit politik dhe forcimi i censurës mbi artit dhe kulturën, varësia e plotë e arteve nga partia-shtet, krijuan atmosferën e një autocensure të fuqishme tek artistët e të gjitha fushave. Brezi artistëve figurative të atyre viteve ishin të detyruar të krijonin pa kushte sipas metodës së realizmit socialist, duke u vënë në shërbim të shtetit që ishte dhe porositësi, financuesi dhe blerësi i vetëm i prodhimtarisë së tyre artistike.


Krijuesit duhet të pasqyronin në veprat e tyre njeriun e ri, realitetin e ri dhe subjektet apo ngjarjet historike sipas rregullave dhe filozofisë marksiste dhe mësimeve të PPSH. Të këtyre viteve janë dhe punimet e skulptores Afërdita Meçe Shijaku të paraqitura dhe të ekspozuara në manifestimet kombëtare të arteve pamore.


Ndër to mund të kujtojmë Portreti i dëshmorit Qamil Gjuzi (1969), relievi Dëshmorët Margarita dhe Kristaq Tutulani para pushkatimit(1970 ), relievi Fryrësat e qelqit (1971), grupi skulpturor Ta shkrep pak (1972), kompozimi Nëna dhe bija (1973), kompozimi Gëzimi i parë (1976), kompozimi E reja në çetë (1978), kompozimi Një këngë për Partinë (1981), Punëtorja (1983), Lulet e jetës (1984), Portreti i Junës (1985), Pushimet verore (1988) etj.


Në këtë cikël punimesh të artistes Shijaku vërejmë qartë ndikimin e tematikës socialiste të shprehur prej artistes me një gjuhë realiste dhe vërtetësi jetësore. Kontakti me modelet direkt nga jeta në veprat e ndryshme të artistes Shijaku, i kanë dhënë veprave të saj natyrshmëri dhe plastikë të ngrohtë.


Ajo asnjëherë nuk u largua nga kontakti me me jetën (modelin) dhe ky element në veprat e saj ka lënë gjurmë dhe e ka evidentuar artisten si një zë i veçantë, modest dhe serioz në artin e skulpturës shqiptare. Ndër veprat e skulptores Afërdita me mjaft interes është grupi skulpturor Lulet e jetës (1984, GKA, Tiranë) dhe ai me të njëjtin titull me dimensione më të mëdha (bronx) të realizuar për një mjedis public-lulishten e ish Pallatit të Pionerëve, Tiranë (1987).


Tërheqja e artistes ndaj botës dhe jetës së fëmijve, i ka dhënë veprës një veçanti-lirizmin dhe natyrshmërinë. Vepra në fakt bën pjesë në ciklin e veprave shqiptare kushtuar botës fëminore në skulpturë, duke filluar me veprën e parë të artistes Kristina Koljaka në vitin 1951, me titullMbjellja e pemëve (GKA, Tiranë).


Në artin shqiptar kjo temë (tema kushtuar fëmijëve) është trajtuar kryesisht nga artiste femra (piktore dhe skulptore) si Liljana Çefa, Liljana Çika, Suzana V. Kuka, Ikbale Beli, Eleni Laperi. Krijimtaria e artistes arrin në 60 vepra arti në skulpturë.


Nga krijimtaria e skulptores Afërdita në Galerinë kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen katër vepra të një periudhe 11 vjeçare (1973 -1984). Vepra e parë Nëna dhe bija, 1973, ishte ekspozuar në ekspozitën Kombëtare në Tiranë, të çelur me rastin e 30 vjetorit të Ushtrisë Popullore, kompozimi E reja në çetë, 1978, u ekspozua për herë të parë në ekspozitën kombëtare e çelur në GKA Tiranë, me rastin e 35 vjetorit të Ushtrisë Popullore-Shqiptare.


Këto vepra u vlerësuan edhe me çmime si pjesë e konkursve të shpallura për ato manifestime arti. Portreti Punëtorja, 1983 dhe grupi figural Lulet e jetës, 1984, i përkasin krijimtarisë së artistes në mesin e viteve 90 të shek. XX. Pas viteve 1990 skulptorja Shijaku ka realizuar portretet e tri fëmijëve të saj (Edrinit, Armirit dhe Sokolit) dhe një cikël prej mëse njëzet portretesh me imazhin e kompozitorit gjerman Beethoven, të realizuar në gips dhe terrakotë.


Realizimi i këtyre portreteve ka lidhje me dashurinë që Afërdita ka me muzikën klasike, Portreti i parë për Beethovenin u realizua në vitin 2001, me porosi fqinjës së saj, zonjës Violeta (Filaj) Gambeta muzikante (e shoqja e gazetarit të njohur Vangjush Gambetës).


Në jetën dhe krijimtarinë e Afërdita (Meçe) Shijakut me mjaft rëndësi është dhe periudha kur ajo ishte pedagoge e skulptures dhe e vizatimit në Liceun Artistik Jordan Misja, Tiranë. Afërdita e vlerësonte shumë vizatimin duke quajtur atë një nga shtyllat e forta të skuptorit që do të ndërtojë figurën, imazhin.


3 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)