Në komunikatë i bëhet thirrje opozitës së armatosur afgane dhe komunitetit të tyre që të heqin dorë nga dhuna dhe të mos kenë lidhje me organizatat terroriste ndërkombëtare si dhe të respektojnë kushtetutën në ndërtimin e një Afganistani paqësor.
Edhe ministri francez i Punëve të Jashtme, Bernard Kushner, u bëri thirrje afganëve të tregojnë guxim për të bërë paqe me armiqtë e djeshëm, ndërkohë kur qeveria dhe aleatët e saj ndërkombëtarë po u shtrijnë dorën talebanëve. Duke kujtuar premtimin e presidentit Nikolas Sarkozi që Franca do të qëndrojë për sa kohë të jetë e nevojshme në Afganistan, Kushner ftoi afganët dhe komunitetin ndërkombëtar të luftojnë për paqen.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmussen,theksoi se NATO do të qëndrojë në Afganistan edhe pas kalimit të sigurisë te qeveria afgane. "Tranzicioni do të bëhet gradualisht në bazë të një shqyrtimi të situatës politike dhe të sigurisë", deklaroi Rasmussen duke theksuar se “kur tranzicioni të ketë përfunduar, forcat ndërkombëtare nuk do të largohen por do të marrin një rol mbështetës".