Intervistë me fituesen e çmimit “Nobel” për letërsinë

Nobelistja ka lindur në Johanesburg para 87 vjetësh nga dy prindër të cilët emigruan nga Europa

“Nga papunësia te kriminaliteti: probleme pafund që presin për t’u zgjidhur, megjithatë kam shpresë se mund t’ia dalim mbanë”

Festa ishte e jashtëzakonshme dhe ndoshta shërbeu për diçka. Por tani magjia u shua dhe duhet t’i rikthehemi realitetit, problemeve të mëdha të Afrikës së Jugut. Nadine Gordimer, fituesja e çmimit “Nobel” për letërsinë dhe figurë historike e luftës kundër aparteidit, nuk ia ka lejuar vendit të saj të shijojë figurën e mirë që bëri gjatë botërorit të futbollit.

Për tridhjetë ditë, Afrika e Jugut ka qenë nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve: jeni e kënaqur për imazhin që krijuat?

Jam e lumtur për suksesin e arritur në planin organizativ, por tani duhet ta kthejmë vëmendjen te problemet e mëdha prej të cilave u shkëputëm disa ditë.

Cilat janë ato?

E para është papunësia, që mbetet në nivele maksimale dhe si pasojë krijon tensione të forta sociale. Më pas vjen arsimimi. Pjesa më e madhe e prindërve nuk janë aspak të kënaqur nga mënyra se si edukohen fëmijët: mungojnë strukturat e duhura, mësuesit, programet efektive. Të rinjtë janë e ardhmja jonë: si mund të drejtojmë një shtet kaq të ndërlikuar sa i yni, pa u përgatitur për këtë detyrë?. Të mos flasim pastaj për kriminalitetin, ndarjet racore, ksenofobinë, energjinë që mungon akoma në shumë zona.

Botërori i futbollit ishte një mundësi zhvillimi apo një kthim pas?

është e vështirë ta thuash tani. Kemi shpenzuar shumë për organizimin e tij, por sidomos për ndërtimin e stadiumeve që nuk e dimë nëse do të jenë funksionale për të ardhmen. Nuk jam e bindur nëse të hollat e sjella nga turistët dhe subvencionet e marra do të mjaftojnë për të ekuilibruar llogaritë. Në fakt, në planin psikologjik, suksesi për Afrikën e Jugut dhe të gjithë kontinentin ishte neto.

Pasioni për skuadrën e “Bafana Bafana” dhe sforcoja për të organizuar botërorin e futbollit kanë shtyrë shumë analistë të thonë që Afrika e Jugut ka treguar aftësitë e vërteta “të një kombi ylber”. Po ju jeni dakord me këtë?

Po dhe jo. është e vërtetë që kemi krijuar një ndjenjë të fortë uniteti kombëtar dhe ky efekt i dobishëm mund të zgjasë në kohë. Megjithatë, po prekim me dorë problemet e përhershme, edhe në raport me shtetet e tjera afrikane.

Për çfarë e keni fjalën konkretisht?

Pikërisht sot një grup somalezësh janë sulmuar në zonën e Kepit dhe dyqanet e tyre u dogjën. Organizuam botërorin e futbollit në emër të Afrikës dhe mendoj se bëmë mirë, por pavarësisht kësaj te ne vazhdon të rritet ksenofobia dhe inati kundër emigrantëve të vendeve fqinje, të cilët vijnë për të punuar te ne.

Mendoni se solidariteti i madh afrikan i botërorit mbaroi?

Problemi ishte dhe mbetet varfëria. Derisa të ekzistojë pabarazia ekonomike, nuk do të kemi paqe as në vendin tonë e as jashtë.

Afrika e Jugut duket ende e ndarë, madje jo vetëm në planin racial...

është e vërtetë, por tani çështja e klasave po shfaqet akoma më shumë. Shumë zezakë janë bërë biznesmenë të pasur dhe si pasojë tërheqin vëmendjen e shumicës së zezakëve që kanë mbetur të varfër. Këtu ngjyra e lëkurës nuk ka më vlerë. Të bardhët ndihen të diskriminuar. Mund të qëllojë që një njeri i bardhë shumë i përgatitur të mos marrë atë që meriton, sepse “pronarët” preferojnë një zezak.

E shihni rrezikun e një kthimi të racizmit kundër të bardhëve?

Kushtetuta jonë e ndalon një gjë të tillë, sepse tani garanton të njëjtat të drejta për të gjithë. është e vështirë të imagjinosh mazhorancën e zezë, e cila përpiqet të dominojë mbi të bardhët, siç i kishte ndodhur në të kaluarën, megjithatë janë të mundshme konfliktet e klasave për kontrollin e pasurisë.

Në vitin 2006 ju ishit viktimë e një sulmi në shtëpinë tuaj. Pse ka filluar të shpërthejë kriminaliteti në Afrikën e Jugut? Sipas jush është një çështje etnike apo sociale?

Gjithçka ndodhi në këtë shtëpi ku jetoj aktualisht. Një i ri hyri në shtëpi, më lidhi dhe vodhi gjithçka. Nuk ishte një eksperiencë e këndshme, por e kuptoj arsyen pse ndodhi. Derisa ai i ri të mos ketë një profesion në jetë, kriminaliteti do të vazhdojë të rritet.

Në romanin tuaj “A Sport of Nature”, protagonistja e bardhë, Hilela, martohet me Presidentin e ri të Afrikës së Jugut. Martesat e përziera a janë vërtetë të mundshme?

Numri i tyre është i vogël, megjithatë mendoj se në të ardhmen do të rritet. Në fillim kjo gjë ishte krim. Tani kur shkon në një restorant, kinema, apo lulishte, çiftet multietnike sa vijnë e shtohen. Ky është një fenomen shumë i rëndësishëm për të garantuar të ardhmen e bashkuar të vendit tonë. Fakti i vetëm është se tani të zinjtë tradicionalistë po i mbështesin martesat e përziera më shumë se të bardhët, sepse duan të ruajnë kulturën dhe etninë e tyre. Për fat të mirë të rinjtë ndjekin ndjenjat e tyre natyrale. Tani nga këto martesa të përziera po lindin shumë fëmijë të bardhë dhe të zinj, të cilët nuk e kanë njohur kurrë aparteidin. Për momentin kjo është shpresa e vendit tonë.

Presidenti Zuma ka marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të botërorit të futbollit me tri gratë dhe të fejuarën e re. Si grua afrikane, ju e pranoni poligaminë?

Fillimisht duhet të bëjmë një përjashtim: sjellja e Zuma-s është imorale dhe e papërgjegjshme. Zotëria në fjalë është vënë në hetim edhe për përdhunim, por në fund u lirua. Për sa i përket poligamisë nuk është shumë e përhapur, edhe pse janë të paktë ata burra që i lejojnë vetes shumë gra. është trashëgimia e një shoqërie që për shumë arsye është tepër e sofistikuar, mjafton të mendosh faktin që lejojmë lidhjet e homoseksualëve. Duhet kohë për t’i kapërcyer pengesat, megjithatë kjo gjë do të vijë së shpejti.

Sida mbetet një emergjencë dhe ju e keni kritikuar shpesh indiferencën e qeverisë. Pse kaq shumë vonesë dhe ç’duhet bërë tani?

Gjërat po ndryshojnë. Tani qeveria po informon popullsinë dhe po ndjek politika parandalimi, por problemi qëndron te fakti kontradiktor i mesazhit. Presidenti Zuma ka aventura të vazhdueshme publike dhe një herë tha: “Për të shmangur infektimin mjafton të bësh një dush pas marrëdhënies seksuale”. Përballë këtyre sjelljeve, sa të besueshme janë fushatat e qeverisë?

Edhe Mandela e kishte nënvlerësuar epideminë?

Jo. Kur ishte President nuk kishte ende elementët për ta kuptuar.

çfarë marrëdhënieje keni me të?

Prej shumë vitesh kam nderin të jem mikesha e Madiba-s prej shumë vitesh, por mendoj se gjëja më e rëndësishme është fakti se sa ka bërë për Afrikën e Jugut. Ai dhe Gandi janë figurat më të mëdha të shekullit njëzet.

Ju jeni një militante e ANC-së qëkur partia e Mandelës ishte e jashtëligjshme. Jeni e kënaqur apo e zhgënjyer nga rezultatet e arritura pas fundit të aparteidit?

Kemi vetëm gjashtëmbëdhjetë në pushtet, as një brez. Demokracitë europiane ekzistojnë prej shekujsh, megjithatë kanë shumë probleme të pazgjidhura njësoj si tonat. çështja kryesore mbetet pabarazia ekonomike, pavarësisht burimeve të mëdha. Kemi ende nevojë për kohë që t’i kapërcejmë.

Shumë njerëz kanë frikë se mos Afrika e Jugut nuk do të bëjë kurrë para. Po ju jeni dakord me këtë?

Unë e konsideroj veten optimiste realiste. Kemi probleme të mëdha që presin për t’u zgjidhur, megjithatë kemi arritur të kapërcejmë kushte të tmerrshme në të kaluarën. Po zhvillohemi dhe mendoj se kemi ende një mundësi për t’ia dalë mbanë.








#