Afrika e Jugut festoi kualifikimin për në Kupën e Afrikës, por më pas e kuptoi se ishte eliminuar. Selektori Pitso Mosimane kishte menduar se skuadrës së tij i nevojitej vetëm një barazim nga ndeshja e fundit kualifikuese kundër Sierra Leones (0-0) për të siguruar pjesëmarrjen në bazë të golaverazhit. Por, përcaktues ishin rezultatet e ndërsjella. Për turpërim edhe më të madh, presidenti i Federatës, Kirsten Nematandani u paraqit në televizion për të uruar ekipin për kualifikimin e supozuar.

Pak më tepër se një vit pas suksesit si nikoqir i Kampionatit botëror, Afrika e Jugut u zgjua me një kokëdhembje të madhe të dielën pas dështimit për të kuptuar rregullat që përcollën dështimin e saj për kualifikim në Kupën e Afrikës.

Selektori Pitso Mosimane pranoi se kishte ndryshuar taktikën dhe luajti për një barazim të shtunën në ndeshjen e fundit kualifikuese, në shtëpi, kundër Sierra Leones duke menduar se një pikë u mjaftonte për të fituar grupin dhe kualifikuar për garën e vitit 2012.

Mirëpo, Afrikës së Jugut në fakt i nevojitej fitorja për t’iu shmangut eliminimit në bazë të rezultateve mes vete të tri ekipeve që përfunduan me pikë të barabarta në krye të renditjes, por askush duket se nuk e kishte analizuar me kujdes rregulloren.

Pavarësisht barazimit, Afrika e Jugut u tejkalua nga autsajderi Niger, që u kualifikua për herë të parë. Për turpërim edhe më të madh, Bafana Bafana festoi kualifikim e supozuar në fund të barazimit pa gola në Nelspruit, duke menduar se kishin bërë mjaft për t’u kualifikuar në garën e vitit të ardhshëm që do të mbahet bashkërisht në Gabon dhe Guine Ekuatoriale.

“Është shumë e mërzitshme për Afrikën e Jugut, sepse shteti e meriton të jetë në Kupën e Afrikës. Mendoj se kam dështuar”, tha Mosimane para gazetarëve. Selektori, i cili e mori drejtimin e ekipit pas Kampionatit botëror, kishte menduar se golaverazhi do të ishte faktor përcaktues për fituesin e grupit dhe kur ishte njoftuar se lideri Niger ishte mposhtur në Egjipt (3-0), ai ndryshoi taktikën dhe u pajtua me barazim.

Nigeri kishte udhëhequr para Afrikës së Jugut me një pikë epërsi, para xhiros së fundit të ndeshjeve kualifikuese të shtunën. “A mendoni se do ta kisha lënë (sulmuesin Lehlohonolo) Majoro në pankinë dhe do të inkuadroja një mesfushor nëse do të dija se na nevojitej një gol? Nuk ka kuptim”, tha Mosimane, para se të kritikojë rregulloren.

“Afrika është një xhungël, miqtë e mi. Formati evropian dhe ai i Amerikës së Jugut janë shumë më të mira sepse gjithçka shkon rrjedhshëm, por është shumë vështirë të luani në Afrikë”, theksoi ai.

Mirëpo, Mosimane nuk ishte i vetmi që keqinterpretoi rregullat. Korporata transmetuese afrikane njoftoi për kualifikim, ndërsa presidenti i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut, Kirsten Nematandani u paraqit në televizion për të uruar ekipin. Ai dhe Mosimane do të përballen me thirrje për dorëheqje. Përveç Afrikës së Jugut, edhe ish-kampioni, Egjipti, Nigeria dhe Kameruni dështuan të sigurojnë kualifikimin.