Në pritje të vërshëllimës së startit, Afrika e Jugut ka ndezur motorët. Ndeshja hapëse e Botërorit 2010 do të jetë mes mikpritësve të Afrikës së Jugut dhe Meksikës.

Ethet e botërorit i kanë pushtuar të gjithë. “Do të jetë si një luftë, thotë Karlos Alberto Parreira, trajneri i afrikanëve. Jemi mrekulluar nga mbështetja e tifozëve, jemi të emocionuar. Ata besojnë te kjo kombëtare. Kjo garë inauguruese është një lloj lufte. Kam marrë pjesë në shumë ndeshje, por jam i tensionuar, sepse një komb i tërë i ka sytë nga ne dhe duam t’i bëjmë ata të ndihen krenarë për ne”.

Përgjigjet menjëherë rivali i tij, trajneri i Meksikës, Havier Aguirre: “Në fushë do të jetë një Meksikë e bukur. Nuk kemi aspak frikë. Kemi punuar shumë. Kam mjaft besim për ndeshjen, do të kemi shumë tifozë që do të na mbështesin, por edhe skuadra është e re dhe e uritur. Dëshiron të shkruajë historinë. Që nga dita e kualifikimit për në botëror, kemi qenë të përqendruar 100% mbi këtë objektiv. Nuk kemi aspak frikë për të shkuar drejt fitores”.