Më 1622-shin u instalua “pro paganda” si term dhe aktivitet kishtar. Në dekadën e fundit të shekullit XVIII, “propaganda” u sekularizua, kurse nga mesi i shekullit XIX mori konotacione politike dhe religjioze, derisa në shekullin njëzet u politizua skajshëm nga nazizmi, fashizmi dhe komunizmi. Në të gjitha rastet e përdorimit, propaganda ka qëllimin e njëjtë: përhapjen e një informacioni vetëm nga njëra anë, duke fshehur anën tjetër. Propaganda, sot si dikur, është fshehje e së vërtetës objektive për një të vërtetë subjektive (individuale, klanore, partiake). Kjo praktikë është aktive edhe sot në media, por edhe nëpër departamente letërsie. Një shembull të pastër të propagandës e jep edhe libri “Lexime të veprës së Bilal Xhaferrit”, në të cilin shfaqet hapur mjerimi akademik dhe “shkenca” tendencioze që dominon në sferën letrare shqiptare. Si të gjithë librat propagandistikë, në njërën anë edhe ky duket se ka qëllim të mirë. Duket, por nuk ka, pasi ai realisht nuk është përgatitur për nder të Xhaferrit, por për inat të Kadaresë. Madje, nga ngutja për të goditur Kadarenë, libri është përgatitur pa kujdesin e nevojshëm. Ka shkarje teknike, gabime gjuhësore, kaos në radhitje, si dhe, sado që botimi pretendon të jetë shkencor, në të nuk ka asnjë shkrim shkencor, por vetëm ese (Bashkim Kuçuku, Ymer Çiraku, Floresha Dado, Dhurata Shehri, Agron Tufa, Sabri Hamiti, Nysret Krasniqi e Kujtim M. Shala), seminare (Anila Mullahi) dhe thashetheme (Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Edip Hoxha, Ballkize Halili, Antika Myrto e Tasim Besho). Sado të bukura qofshin esetë, janë tepër personale; sado të mira qofshin seminaret, kanë diçka naive; sado interesante qofshin kujtimet, ngelin në nivel thashethemesh. Në një botim të përgatitur nga Departamenti i Letërsisë, lexuesi pret të lexojë shkrime shkencore, jo kuturisje që më shumë merren me fatin e autorit sesa me veprën e tij, aq sa duket se ky libër është përgatitur enkas që te lexuesi të zgjojë mëshirë për “viktimën” Xhaferri dhe urrejtje për “xhelatin” Kadare, pasi që romani “Dasma” u bë shkaktar për internimin e Xhaferrit, i cili, sipas diskursit dëshiror të disa autorëve të përzgjedhur në këtë libër, ishte: disident, univers, shkrimtar postmodern etj., pavarësisht se ai kishte shkruar poezi për komunizmin, pavarësisht se ishte “univers” që mund të futet brenda një vëllimi dhe pavarësisht se talenti i tij në prozë shkonte deri te realizmi, kurse në poezi nuk shkon përtej romantizmit. 

KOMUNISTI DHE REVIZIONISTI 
Që në fillim duhet pasur parasysh që kjo nuk ishte përplasje titanësh, por përplasje në një titan, pasi Kadare nuk u mor me atë që u përplas në të dhe që u dëmtua jo pak. Derisa në poezi, Kadare herë i afrohej socrealizmit e herë i largohej, në prozë kishte marrë edhe kritika serioze për shkak se kishte “harruar” të përmendte Partinë Komuniste dhe liderin e saj në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) dhe kishte botuar në revistën “Nëntori” një novelë dekadente me titullin “Përbindëshi” (1965), që nuk u lejua të botohej si libër. Ndërsa Bilal Xhaferri nuk kishte shfaqur asnjëherë elemente dekadente, aq më pak disidente. Ai kishte botuar vetëm një libër me tregime dhe një libër me poezi, ku gjendeshin edhe poezi prokomuniste. Pra, për nga niveli artistik, këta dy shkrimtarë nuk mund të mateshin. Megjithatë, në vitin 1967 vendosën të garojnë në konkursin letrar për 500- vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Bilal Xhaferri shkruan romanin “Krastakraus”, kurse Kadare “Kështjellën”. Fiton “Kështjella”, natyrisht. Mirëpo, kur ende dy romanet e konkursit ndodheshin në dorëshkrim, në vitin 1968 Kadare boton romanin “Dasma”, të cilin “rivali i konkursit” ia kritikon ashpër, jo pse ishte roman me tezë, sepse përgatitja profesionale e Bilal Xhaferrit ishte shumë modeste që ta nuhaste një gjë të tillë (ai kishte kryer vetëm shkollën shtatëvjeçare natën), por sepse, sipas tij, “Dasma” ishte roman që “ul femrën shqiptare”, “roman revizionist”, prandaj “i dështuar”. Këto epitete që Xhaferri i nxirrte me mllef, disa studiues të veprës së tij i marrin si disidencë të pastër. Të sulmoje tjetrin për revizionizëm në kohën e komunizmit, do të thoshte të mundoheshe t’i hyje në qejf partisë, pasi me fjalën “revizionist” etiketoheshin tradhtarët e doktrinës komuniste. Pra, Bilal Xhaferri e mbronte komunizmin nga revizionisti Kadare dhe për këtë sot shpallet disident. Ky është kulmi i paradoksit. Pas, kritikës që i bëri Xhaferri Kadaresë, e pësoi sulmuesi, jo i sulmuari. Pse? Sepse akuza ishte thjesht shprehje e një mllefi (të nxitur mbase nga një inat personal pas humbjes në konkurs), kurse mënyra e artikulimit të mllefit ishte shqetësuese për debatet e hapura në lidhje dhe cerbëret e partisë nuk do të lejonin që këtë turbullirë ta sillte një njeri “me njolla në biografi”, sado komunist i flaktë të ishte ai, sado i kuq të ishte ai, sado i fiksuar pas të kuqes (“Lirishta e kuqe”, “Purpuranti”). Ndryshe, një pyetje mund ta sqarojë gjithë “disidencën” e Bilal Xhaferrit: Pse, pasi iku nga Shqipëria dhe u vendos në Amerikë, nuk u bë disident? Ai jetoi atje deri një vit pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe nuk shkrepi asnjë fishekzjarr disident për ta njoftuar botën mbi atë që po ndodhte në Shqipërinë komuniste. Ai pati fatin të dilte nga ferri dhe nuk ngriti zërin për të dëshmuar për krimet. Po të përdornim logjikën e një shkrimtarit frëng, kjo heshtje e tij do të mjaftonte për ta cilësuar “bashkëfajtor” për tmerrin në Shqipëri. Studiuesit shqiptarë, njëherë e mirë duhet ta kuptojnë që nuk mund të krijojnë “disidentë” vetëm pse duan ta kenë një të tillë. Letërsia shqipe, për shumë arsye (politike e psikologjike), nuk e ka njohur disidencën dhe ne duhet ta studiojmë si të tillë, pa pasur nevojë të shpikim disidentë në demokraci.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)