Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani, kritikoi të enjten gjatë një konferencë për media përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duke thënë se qeverisja aktuale është e paaftë për të menaxhuar territorin dhe zbatuar Kushtetutën në gjithë vendin.

Ai tha se në vazhdimësi ka pasur ndërhyrje të vrazhda të shtetit të Serbisë në Kosovë, duke e lidhur me këtë rast edhe vizitën e presidentit serb, Boris Tadiç.

Agani tha se zbatimi i Kushtetutës në gjithë territorin duhet të jetë prioritet i institucioneve të Kosovës, pavarësisht sfidave e përballjeve, madje, siç tha ai, edhe nëse vihet në dyshim bashkëpunimi konstruktiv me institucionet ndërkombëtare.

“Partia e Drejtësisë konsideron se tolerimi i shkeljeve të Kushtetutës së vendit, në emër të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, nuk çon kah përparimi i shtetit të Kosovës, sepse institucionalizon anarkinë ligjore dhe hapë rrugë për korrupsion dhe jostabilitet politik”, tha ai.