Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës, mesnatën e së enjtes. Katër persona mbetën të plagosur rëndë dhe një tjetër humbi jetën si pasojë e goditjes me thikë nga ish-futbollisti i mirënjohur i Flamurtarit, Agim Bubeqi. Ende asnjë motiv, ende asnjë pistë se pse ndodhi kjo masakër në mes të Vlorës. Deri më tani policia, në të vetmin komunikim zyrtar ka pohuar se Agim Bubeqi prej kohësh vuante nga çrregullime të theksuara psikike. Nga dëshmitarët okular pohohet se sherri ka nisur për motive banale. Fillimisht të rinjtë ishin duke qeshur me njeri-tjetrin, te ulur në tavolinën e një lokali. Të qeshurat e të rinjve, kanë bërë që Bubeqi të mos ndjehej mirë, dhe ka menduar se të qeshurat ishin në mënyrë ironike për të. Kaq ka mjaftuar që ai të marrë thikën dhe pas konfrontimit me fjalë të godas disa herë në trup të rinjtë, të cilët tentuan me të gjitha mënyrat për ta ndaluar. Të tjerë persona kanë ndërhyrë dhe i kanë marrë thikën nga dora ish-futbollistit, pasi inati i tij donte të shfryhej deri në momentin që ti kishte marrë jetën të gjithëve. Në gjendje të qetë, pas kreu krimin, Bubeqi është rikthyer sërish në banesën e tij dhe ka pastruar thikën e krimit.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesnatës të së enjte në një bar në rrugën “Isa Boletini” në qytetin e Vlorës. Ish-futbollisti i njohur i "Flamurtarit" ka hyrë në lokal dhe në këtë kohë të rinjtë kanë qenë duke qeshur. Sipas dëshmitareve, emri i njohur i futbollit vlonjat ka parë nga tavolina e të rinjve duke menduar se ata po qeshin me të. Bubeqi ka dalë menjëherë nga lokali ku ka marrë një thikë aty pranë duke u kthyer përsëri në lokal. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se ish-futbollisti 46-vjeçar ka sulmuar me thikë grupin e të rinjve sapo ka hyre ne lokal. Edmond Nguci, 24 vjeç, ka gjetur vdekjen rrugës për në spital si pasojë e plagëve të marra nga goditja me thikë në shpatull. Katër personat tjerë të plagosur që ndodheshin në tavolinë me viktimën, sipas policisë ndodhen në gjendje jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Vlorës. Policia ka arrestuar ish-futbollistin me akuzën e vrasjes në rrethana të cilësuara dhe plagosjes së rëndë ndaj më shumë se dy personave. Ai është kapur pa bërë rezistencë ndërsa kishte larë thikën në shtëpinë e tij që ndodhet jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja.

Hetimet

Hetimet për vrasjen e nj të riut dhe plagosjen e katër të tjerëve janë shtrirë gjerësisht për të zbardhur rrethanat e sakta të konfliktit dhe vendosjen e agresorit përpara drejtësisë. Sipas policisë nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm mes tyre. Autori i ngjarjes dhe viktima ka pasur edhe njohje të mëparshme pasi jetonin afër njeri-tjetrit, por sipas dëshmive ata nuk ishin përplasur asnjëherë më parë me njeri-tjetrin. Shkaku ka qenë vetëm e qeshura e momentit. Policia ka pohuar se ish-Futbollisti Agim Bubeqi, prej kohësh vuante nga çrregullime të vazhdueshme psikike. Çrregullimet psikike ai i kishte shfaqur edhe në publik në veprimet e pahijshme që bënte rrugëve të Vlorës. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarë të autorit si dhe të viktimës për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Familjarë të ish-futbollistit janë shprehur se ai prej kohësh merrte mjekime për çregullime psikike.



Kush është Bubeqi



Agim Bubeqi njihet në qytetin e Vlorës por edhe më gjerë si një ndër futbollistët më të mirë të Flamurtarit në të gjitha kohërat. Ai ka luajtur për një kohë të gjatë në ekipin e Flamurtarit, por ka pasur edhe eksperienca në ekipe të tjera shqiptare. Bubeqi është respektuar nga qyteti i Vlorës si simbol i futbollit vlonjate. Por vitet e fundit ish-futbollisti kishte shfaqur një sjellje tjetër. Disa vite më parë, ai kishte bërë një aksident automoblistiek nga ku kishte marrë dëmtime të rënda në kokë. Që nga ai moment jeta e Bubeqit të mirënjohur në qytetin e Vlorës por edh emë gjerë do të ndryshonte. Nga një qytetar i rregullt dhe tepër i respektuar, Bubeqi do të shihej në qytet duke bredhur me një biçikletë rrugëve të Vlorës në çdo orar. Veshja e tij nuk do të linte më përshtypjen e Bubeqi të parë, por që me vështrim të parë, ai dallohej që diçka nuk shkonte mirë te ylli i futbollit vlonjate.

Ky lajm është publikuar: 18/07/2009