Kapiteni për mediet italiane nuk zbulon asgjë, por është menaxheri dhe njëkohësisht i ati i tij ai që për “Sport Ekspres” rrëfen: “Ikën nga Italia, e duan në tre kontinente. Do të zgjedhë më të arsyeshmen”




Lorik Cana dhe Lacio, një aventurë që tashmë po i shkon fundit…

AdPlatformZone = {id: "f95795dd0",format: "410x0"};


Pas katër vjetësh të bukura, me një Kupë Italie të fituar dhe një vend i tretë në renditje, kapiteni i Shqipërisë është gati t’i japë lamtumirën bardhekaltërve. Në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”, ja se si është shprehur mbrojtësi 31-vjeçar: “Nuk e di të ardhmen, nuk kam vendosur ende asgjë. Do të flas me klubin dhe trajnerin. Do të marr një moment pauze pas Francës. Do të pushoj disa ditë në Marsejë dhe më pas do të shohim”, përfundoi ai.




Rrëfimi – E ndërsa Cana ende nuk e mbyll kapitullin “Lacio” për karrierën e tij, është Agim Cana ai që për “Sport Ekspres” rrëfen të ardhmen e të birit. i ndodhur këto ditë në Tiranë, menaxheri dhe i ati i mbrojtësit dhe kapitenit të Shqipërisë, u shpreh për gazetën tonë: “Ajo që mund të them me siguri të plotë është që Loriku do të largohet nga Lacio. Pas katër viteve në këtë klub ka ardhur koha që të provojë një eksperiencë të re, edhe pse ka kontratë edhe për një tjetër vit”.




Prapaskena – Por, pse duhet të largohet Lorik Cana pikërisht tani që Lacio ka arritur të kualifikohet në plejofin e Champions? “Largimi është çështje rrethenash, situata të ndryshme që përjetohen në çdo klub dhe duke u nisur edhe nga politikat që zbatohen. Përpara një viti, ndoshta asnjë s’e di, por Lacio i propozoi për rinovimin edhe një tjetër vit, pra deri në 2017, por duke u konsultuar edhe me Lorikun, refuzuam. Duhet thënë se Loriku i ka dhënë shumë Lacios gjatë karrierës së tij aty dhe largohet pas një eksperiencë të shkëlqyer”.




E ardhmja – Por, ku do të shkojë Lorik Cana? Ende shumë pista, ende shumë zëra dhe asgjë konkrete. Ajo që Agim Cana sqaron është koha brenda së cilës do të merret vendimi: “E ardhmja do të mësohet brenda fundit të javës së ardhshme pasi edhe ai dëshiron që të shkojë i qetë me pushime (Marsejë), duke e ditur se ku do të vazhdojë karrierën e tij dhe duke programuar aty që do të bëjë pas këtyre pushimeve. Kur transferohesh duhet ambientim edhe me vendin e ri”. Cilat janë ofertat e deritanishme? “Ofertat nuk mungojnë, ka nga Europa, Azia dhe Amerika. Eshtë normale për një lojtar të afirmuar. Ajo që mund të them me siguri është që vendimi do të merret gjatë javës së ardhshme, pasi janë 3-4 oferta të cilat do t’I vendosim në tavolinë dhe pastaj Loriku do të zgjedhë atë që e shikon më të arsyeshme apo më të përshtatshmë nga pikëpamja e tij. Shalke? Mund të them që tani se nuk bëhet fjalë për Shalken, nuk është diskutuar me ta. Meqë ka disa oferta të ndryshme, preferoj që të mos bëj publike skuadrat, ashtu siç nuk e kanë bërë as ato. Po siç e thashë, janë 3-4 skuadra më të cilat jemi në bisedime më të avancuara.




Tre vjet – Një tjetër detaj që Agim Cana zbuloj është edhe kohëzgjatja e kontratës së radhës për të, që mund të jetë edhe e fundit në futbollin profesionist: “Negociohet për një kontratë trevjeçare, e fundit e rëndësishme mund të themi. Po pastaj do të jetë Loriku që e vendos se çfarë do të bëjë, të vazhdojë apo jo. Nuk bëhet fjalë për skuadra të tjera në Itali. Po të dëshironte të qëdnronte në Serinë A, do të vazhdonte te Lacio. Edhe Spanjën e përjashtoj si mundësi të vazhdimit të karrierës së tij. Ai ka shprehur dëshirën të luajë në Gjermani? Të shohim…”.