Agim Fagu është presidenti i ri i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ish-anëtari i përfaqësueses së basketbollit u zgjodh në mënyrë thuajse unanime, gjatë Asamblesë së 14-të të Përgjithshme-Zgjedhore, e cila u zhvillua në ambientet e hotel "Sheraton" në kryeqytet. Pjesëmarrës ishin 62 përfaqësues të federatave sportive, ndërsa punimet e asamblesë u ndoqën nga afër edhe nga një delegacion i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe atij Europian. Ndryshe nga shtatë muaj më parë, zgjedhjet kanë kaluar pa asnjë problem: në përfundim, vetëm një votë është cilësuar e pavlefshme, ndërsa 61 të tjera ishin në favor të ish-diplomatit. "Mendoj se kjo është një detyrë e nderuar. E nisa jetën me sportin dhe më pas kalova në shumë fusha të ndryshme. Rikthehem fizikisht për të kontribuuar në sportin shqiptar, për ta rikthyer në vendin që meriton", deklaroi Fagu, i cili do të qëndrojë në postin e presidentit të KOKSH për katër vitet e ardhshme. Ai ka premtuar sheshim të të gjitha problemeve që ekzistojnë aktualisht në sportin shqiptar: "Do të dëshiroja që ribashkimi i sportit të ishte një prej misioneve të mia më të mëdha. Besoj se ndarja është e vogël e mund të bëhet diçka për ta përmirësuar këtë situatë". Fagu garoi i vetëm, pasi gjatë një mbledhjeje në orët e vona të mbrëmjes së ditës së hënë, Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it vendosi të mos pranojë kandidaturën e presidentit të Federatës së Peshëngritjes, Esat Ademi, për shkak të episodeve të dhunshme më 6 dhjetor 2008, ku ai ishte protagonisti negativ. Ndërkohë, rektori i Akademisë së Mjeshtërisë Sportive "Vojo Kushi", Vesel Rizvanolli, u tërhoq nga gara për presidencën, me pretendimin se nuk e njeh këtë asamble. Gjatë procesit zgjedhor, kontestime ka pasur vetëm nga Federata e Peshëngritjes, por më pas drejtuesi i sportit më të suksesshëm në vend, Ademi, konfirmoi votën në favor të emërimit të Fagut.



Ashtu si për postin e presidentit, edhe për sekretarin e përgjithshëm ishte vetëm një kandidaturë, ajo e Stavri Bellos, i cili rikonfirmohet në këtë detyrë. Gjatë paradites së djeshme nuk mungoi debati në distancë ndërmjet Bellos dhe ministrit të Sportit, Ardian Turku. Përpara zgjedhjeve, numri 2 i KOKSH-it kishte akuzuar drejtuesin e MTKRS-së se e kishte kërcënuar nëpërmjet telefonit, ndërsa theksoi se përfaqësues të këtij institucioni ushtruan presion ndaj federatave, që të mos merrnin pjesë në asamble. Këto pretendime u hodhën poshtë nga Turku, i cili deklaroi: "Kam pasur kontakt telefonik vetëm me z.Hysen Domi, ditën e premte. Shqetësimi i vetëm ka qenë pjesëmarrja e të gjithëve me të drejta të plota në zgjedhje (ministri u kërkoi edhe ndërkombëtarëve pranimin e kandidaturës së Ademit). Nuk ka pasur asnjë urdhër dhe asnjë presion mbi federatat nga asnjë zyrtar i ministrisë dhe nuk ka pasur asnjë telefonatë me z.Stavri Bello, aq më tepër kërcënime. Zotin Bello e ftoj dhe jam gati ta ndihmoj për zbardhjen e telefonatës".