Agjencitë turistike lëshojnë alarmin se situata kaotike me plehrat dhe papastërtitë në zonat bregdetare mund të dëmtojnë rëndë të ardhmen e turizmit dhe ekonominë e Shqipërisë



Një vend turistik nuk mund të jetë i papastër. Ky problem duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, shprehet Enver Mehmeti, president i Shoqatës së Agjencive Turistike.


Shqipëria gjendet përballë një bumi turistik, jo vetëm në rritjen e numrit të turistëve, por edhe zgjerimin e gjeografisë së tyre. Pas një periudhe disavjecare ku baza kryesore e turizmit ishin pushuesit nga vendet fqinje, tani shqipëria po kthehet në destinacion edhe për turistët skandinave dhe ata të vendeve perindomore, të cilët kërkojnë më shumë cilësi.


Turistët kërkojnë të dinë se çfarë uji konsumojnë, me çfarë uji gatuhet. Kemi kërkesa shumë strikte nga operatorë që duan me detaje analizat, shton presidenti i Shoqatës së Agjencive Turistike.


Enver Mehmeti thotë se e ardhmja e turizmit gjendet në udhëkryq. Nëse shqipëria nuk do të arrijë të pastrojë plazhet dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimit, atëherë humbjet për ekonominë do të jenë të mëdha.


Jemi përpara sfidave që na vijnë shumë qartazi, nëse duam të rritemi. Jemi për momentin një treg shumë i lirë për ta, por nuk mund të rritemi cilësisht qoftë edhe me ofertë më të lartë nëse nuk arrijmë elementë të nevojshme që ka turizmi, tha Enver Mehmeti.


Vitin e kaluar ekonomia shqiptare përfitoi 1.7 miliardë euro nga turizmi. Operatorët turistikë thonë se prurjet pritet të rriten edhe më shumë këtë vit, çka e ka kthyer turizmin në një nga sektorët kyç që po udhëheq rritjen ekonomike.


5 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)