
"Për sa i përket kriterit ekonomik, raporti vlerëson se, Shqipëria është e përgatitur për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale. Është arritur progres në drejtim të përmirësimit të stabilitetit makroekonomik dhe janë përmirësuar perspektivat për rritje ekonomike", u shpreh Ahmetaj.
Sipas tij, qeveria ka dëshmuar se ka marrë zotimin të reformojë dhe zbatojë politikat makroekonomike drejt stabilitetit, në një mjedis politik tejet sfidues. "Marrëveshja financiare 3-vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e arritur në shkurt 2014 mbështet forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe reformat për rritjen ekonomike", shtoi ministri.
Lidhur me punësimin, Ahmetaj tha se, në përputhje me rimëkëmbjen ekonomike u rrit në 1.6%, por për shkak të rritjes së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore, shkalla e papunësisë u rrit nga 15.9% në 17.5% në vitin 2014, përpara se të binte në 17.3% në tremujorin e dytë të vitit 2015.
Ministri shtoi se, buxheti pati performancë të mirë në vitin 2014 si pasojë e mbledhjes së taksave. "Komisioni vlerëson gjithashtu se në gjysmën e parë të vitit 2015, të ardhurat nga tatim-taksat ishin nën nivelin e objektivave, kryesisht për shkak të supozimeve optimiste për rritjen e të ardhurave, inflacionit më të ulët nga sa pritej dhe rënies së çmimit të naftës", tha Ahmetaj.
Në lidhje me aksionin kundër informalitetit, "regjistrimi i biznesit po vazhdon me ritme të kënaqshme".
/Shekulli Online/