Ahmetaj Avdullah HotiShqipëri-Kosovë


 


Ahmetaj: “Diskutimi ka të bëjë me uljen e barrierave në të dyja anët, qoftë në terminalet doganore në anën kosovare, ashtu edhe në anën tonë”


Dy ministrat e Financave të Shqipërisë dhe Kosovës takohen në Tiranë për t’i paraprirë mbledhjes së përbashkët që dy qeveritë planifikojnë të zhvillojnë në fund të muajit maj. Diskutuam një sërë elementesh praktikë, operacionale dhe ligjore dhe kemi rënë dakord për një axhendë shumë intensive deri para mbledhjes së qeverive, për të parë se çfarë kemi bërë, çfarë janë në proces dhe çfarë duhet të bëhet”, tha ministri i Financave, Arben Ahmetaj pas takimit. “Së pari, janë procedurat doganore që përfshijnë, qoftë punën në dogana 24 orë në 7 ditë, ku përfshihen edhe çështjet e agjentëve doganorë. Folëm për transitin doganor dhe aksesin në sistemin informatik të të dy doganave pas përditësimit që kemi bërë ne. Diskutimi ka të bëjë me uljen e barrierave në të dyja anët, qoftë në terminalet doganore në anën kosovare ashtu edhe në anën tonë. Ka dhe një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me unifikimin e licencave, certifikatave, që e lehtësojnë jashtëzakonisht shumë punën e eksportuesve dhe të importuesve nga të dyja palët”, shpjegoi Ahmetaj.  Ndërsa ministri i Financave të Kosovës, Abdulla Hoti u shpreh: Pamë që shumica e çështjeve që rakorduam vitin e kaluar në mbledhjen e përbashkët është bërë progres dhe identifikuam disa çështje, të cilat do ti adresojmë në dy-tri javët e mbetura deri në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive.  Së shpejti, njoftoi Hoti, palët do të zhvillojnë një takim të përbashkët me eksportues dhe importues të të dyja vendeve në Prizren, për ti dëgjuar shqetësimet dhe problemet. I pyetur për ecurinë e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, pas mbledhjes së fundit të dy qeverive dhe unifikimit të procedurave, Hoti u shpreh se influenca ka qenë e drejtpërdrejtë. Eksportet shqiptare janë rritur konsiderueshëm ndërsa importet e Kosovës në Shqipëri kanë një rënie të lehtë dhe ne besojmë se do të duhet ta adresojmë nëse ka, pengesa burokratike apo ato barriera tarifore që na pengojnë ne të kemi një shkëmbim tregtar si të ishim një treg i unifikuar, tha Hoti.