Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u ka bërë thirrje fermerëve që të pajisen me nipt për të përfituar rimbursimin e TVSH-së, por edhe mbështetje me para në dorë nga buxheti.


Nëse ti vjen me nipt, unë të rimbursoj 20%. Nipti është bërë vetëm për të favorizuar fermerët, sqaroi Ahmetaj.


Vitin e ardhshëm, qeveria do të japë 20 milionë euro subvencione për fermerët vetëm nga buxheti i shtetit. Por, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi tha se shuma do të jetë disa herë më e lartë se kaq për shkak të fondeve të Bashkimit Europian.


Vitin e ardhshëm shpresojmë që të bëjmë më në fund efektiv fondet e Ipardit. Ipardi është një program i Bashkimit Europian 93 milionë euro për të mbështetur fermerët dhe unë jam i bindur që për herë të parë, në vitin 2018, ne do të kemi më shumë para nga sa janë kërkesat e fermerëve, deklaroi Peleshi.


Bujqësia kontribuon 20% të prodhimit kombëtar. Por, fermerët vuajnë mungesën e financimeve, jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe bankat private.


12 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)