Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit që të nisë punën për zhvendosjen e kazinove jashtë zonave të banuara.


Ligji për lojërat e fatit parashikon se, brenda datës 31 dhjetor 2018, të gjitha kazinotë elektronike duhet të zhvendosen jashtë qendrave të banuara, ndërsa pikat e basteve duhet të kenë një distancë minimale 100 metra nga institucionet fetare dhe shkollat.



Përmes një shkrese zyrtare, kreu i Financave ka ngarkuar autoritetin që të mbikëqyrë zbatimin e këtij detyrimi.


Duke pasur në konsideratë sensibilitetin e këtij procesi dhe rëndësinë e zbatimit me sukses të tij, Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit të ndjekë e të mbikëqyrë me imtësi procesin, me qëllim respektimin me rigorozitet të kërkesave dhe afateve ligjore, shkruan në letër Ahmetaj.


Përveç mbikëqyrjes, autoriteti do të jetë i detyruar që të raportojë çdo javë për numrin e subjekteve që zhvendosen.


Në zbatim të detyrimeve ligjore, të merren të gjitha masat për përmbushjen e detyrimeve nga subjektet e Lojërave të Fatit dhe të raportohet në terma javorë mbi ecurinë e procesit, shkruan më tej Ahmetaj.


Zhvendosja e kazinove elektronike nga qendrat e banuara, si dhe kufizimi i pikave të basteve duhet të kishte hyrë në fuqi që më 1 janar të vitit të kaluar. Por, përmes një amendamenti të beftë të 6 deputetëve të mazhorancës aktuale, ky detyrim u shty edhe me dy vite të tjera, duke bërë që përgjatë kësaj kohe biznesi i kumarit të zgjerohet ndjeshëm.


13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)