Pas PSV Eindhovenit, Astrit Ajdareviçi është bërë objektiv i skuadrës tjetër holandeze Ajax. 22 vjeçari e pranon se dëshiron të luajë në një ligë më të fortë evropiane, por shton se, derisa nuk ka diçka konkrete, do ta respektojë kontratën me Norrkopingun.

Astrit Ajdarevic është bërë objektiv i disa skuadrave të njohura evropiane. Pas PSV Eindhovenit, së fundmi për mesfushorin kosovar ka shfaqur interesim edhe klubi tjetër holandez, gjiganti Ajax. Paraqitjet e shkëlqyeshme të tij në periudhën e fundit me Norrkopingun nuk kanë lënë pa u parë nga skuadrat holandeze.

Madje, Ajaxi thuhet se e ka dërguar një skaut për ta përcjellë më nga afër në ndeshjen me AIK-un në Rasunda. Po ashtu, atë e ka vëzhguar nga afër edhe skauti skandinav John Steen Olsen në derbi kundër Åtvidabergs. “Unë nuk komentoj për lojtarë individualë”, ka thënë Olsen për mediat suedeze.

Ndërkohë, Ajdarevic e pranon se dëshiron të rikthehet në një ligë të fortë evropiane. “Natyrisht, është një ëndërr për mua, ndoshta këtë e dini ju të gjithë”, deklaroi futbollisti prishtinas.

“Kam kaluar atje një kohë, kur pata nënshkruar me Liverpoolin, kur isha shumë i ri. Tash e di se si shkojnë gjërat. Por, derisa nuk ka diçka konkrete, do ta respektoj kontratën time me Norrkopingun. Nuk po mendoj shumë për të ardhmen. Gjëja e vetme është që të mund ta kontrolloj atë që e bëj në fushë”, shtoi ai.

Zyrtari i Norrkopingut, Tony Martinsson nuk ka dashur ta komentojë interesimin e klubeve për Ajdareviçin. Por, në Suedi konsiderojnë se Astriti është i gatshëm për një eksperiencë të re në një ligë më të fortë sesa ajo Allsvenskan.