Nga Ardit Rada


Ambasadori Donald Lu nuk ka pritur që presidenti Nishani të verifikojë figurën e ministrave të rinj, për të çuar mesazhet e para të urimit.


Më së pari të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.


Duke folur për VOA, kryediplomati nga Uashingtoni ka evokuar faktin që Xhafaj ka qenë në krye të procesit të reformës në Drejtësi, duke uruar më pas që ai të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve.


Emërimi i Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndezi një seri sulmesh nga opozita, sulme këto që bazohen në akuzat e bera ndër vite nga Berisha. Në fakt, Donald Lu e ka cilësuar sot Xhafajn si një energji të re në krye të MPB dhe që vjen nga një eksperiencë reformash, siç është ajo më kryesorja.


Por mesazhi i ambasadorit të SHBA ka brenda edhe disa elemente indirekte, të cilat i tejkalojnë muret e ministrisë së Brendshme dhe që duket se drejtohen nga një pjesë tjetër e bulevardit qëndror të Tiranës. Aty ku qëndron e ngritur prej rreth një muaji çadra e opozitës, që kërkon qeveri teknike.


Ky mesazh kundër qeverisë teknike bëhet edhe më i qartë kur ai bën thirrje që Ministria e Brendshme të tregohet e paanshme teksa vendi përgatitet për zgjedhjet.


Mesazhi i Donald Lu është në fakt një përgjigje e tërthortë edhe për pretendimin në fjalë të Lulzim Bashës.


Urimet dhe ftesa për bashkëpunim ndaj ministrit është diçka e kundërt në thelb, me kërkesën për ta parë të rrëzuar Ramën, Xhafajn dhe anëtarët e tjerë të kabinetit.


Së dyti, mesazhi i ambasadorit amerikan është edhe një pranim e përkrahje formale e ndryshimit që ndodhi në një dikaster me peshë si Ministria e Brendshme.


Duke e njohur formalisht Xhafajn si ministër të Brendshëm, Lu ka pagëzuar kështu emërimin më të rëndësishëm të orëve të fundit.


Por me një kusht, të cilin Lu e thotë hapur dhe qartë: Rezultate të tjera, më të dukshme dhe të prekshme në drejtimet më delikate të punës së Ministrisë së Brendshme. Narkotikëve dhe krimit.