Nga Tema

Letër e hapur





Drejtuar:


Z. Genc Pollo, Kryetar i Reformimit të Akademisë së Shkencave


Z. Teki Biçoku, Kryetar i Asamblesë së RSH


Z. Gudar Beqiraj, zv/Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH


Anëtarëve të Asamblesë së Akademisë së Shkencave








Për dijeni, Zotit Sali Berisha, Kryeministër i RSH





Kërkues: Kandidatë për anëtarë të asociuar të Akademisë së Shkencave të RSH





Lënda: Për një proces të rregullt ligjor në zgjedhjen e anëtarëve të asociuar të Akademisë së Shkencave të RSH





Tiranë, më 20.12.2008





I nderuar zoti zëvendëskryeministër,





Të nderuar zotërinj,





Në cilësinë e kandidatëve për anëtarë të asociuar të Akademisë së Shkencave të RSH, ju përshëndesim dhe ju falënderojmë paraprakisht për marrjen në shqyrtim të kësaj letre, me anë të së cilës shprehim sa vijon:



Jemi informuar zyrtarisht se, në procesin final që do të zhvillohet për votimin e kandidatëve për anëtarë të asociuar të Akademisë së Shkencave, nuk do të ketë asnjë përfaqësues të përzgjedhur paraprakisht nga fusha e shkencave ekonomiko-sociale, pasi është hequr nga fushat e konkurrimit. Ne gjykojmë se ky vendim është arbitrar dhe në kundërshtim me të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Ai ka shkelur parimin e sigurisë juridike, i cili përbën një nga parimet kryesore mbi të cilat ndërtohet Shteti i së Drejtës.



Në lidhje me sa më sipër, nënvizojmë se fusha “Ekonomi-Sociologji-Drejtësi” është një fushë konkurrimi e shpallur nga Akademia e Shkencave në thirrjen që ajo ka drejtuar për paraqitjen e kandidaturave. Kjo thirrje është publikuar në faqen përkatëse të internetit të Akademisë së Shkencave dhe ende figuron aty. Eliminimi i saj nuk mund të kryhet në mënyrë të njëanshme. Nëse kishte shkaqe të përligjura objektivisht për ta bërë këtë, atëherë Akademia e Shkencave duhet të respektonte disa procedura. Ky vendim mund të ndërmerrej vetëm me miratimin e organeve drejtuese që përgatitën thirrjen për aplikime dhe me të njëjtën procedurë që kishin ndjekur për vendosjen e kësaj fushe. Nëse kjo do të ndodhte, ishte detyrim ligjor i Akademisë që ky vendim i ri, së bashku me shkaqet që e detyruan organin kompetent për ta bërë atë, duhej të ishte publikuar sërish në internet, me qëllim që të respektohej parimi i transparencës dhe të gjitha parimet e tjera të sanksionuara nga Kodi i Procedurave Administrative të RSH. Mekanizmat e demokracisë institucionale nuk mund të lejojnë asnjë institucion e aq më pak një Tempull të shkencës shqiptare, të veprojë pa rregullin dhe transparencën e duhur.



Një vendim për eliminimin e fushës, vetëm përpara garës finale, nuk mund të justifikohet me faktin se asnjë kandidat i kësaj fushe nuk përmbush kriteret. Në lidhje me këtë, çdo kandidat vlerësohet individualisht nga një komision ekspertësh të fushës përkatëse dhe jo nga organet drejtuese administrative të Akademisë së Shkencave. Konkurrimi zhvillohet midis kandidatëve që kanë aplikuar dhe përzgjedhja kryhet nga radhët e tyre. Ne jemi vënë në dijeni se Grupet e Vlerësimit pranë Seksioneve kanë bërë vlerësimet përkatëse mbi bazën e recensentëve dhe kanë vendosur një klasifikim midis radhëve tona. Madje, ne rezervojmë të drejtën të njihemi me vlerësimin, pasi mbi atë bazë kemi të drejtën kushtetuese për ankimim. Tashmë, etika institucionale dhe standardet evropiane kërkojnë që ky vendim i ekspertëve të bëhet transparent apo të publikohet përmes faqes së internetit. Kjo duhet të ndodhë që jo vetëm kandidatët, por edhe publiku të njihet me të gjithë konkurrentët e përzgjedhur që do të votohen nga Asambleja. Sidoqoftë, një vendim i tillë nuk mund të na shpinte në asnjë rast në eliminimin e fushës konkurruese, por vetëm në përzgjedhjen e kandidatëve. Përndryshe, ai do të ishte në kundërshtim me një proces të drejtë e të ndershëm të zgjedhjeve.



Për sa më sipër, kërkojmë të rishikohet çdo vendim që përjashton nga votimi kandidatët e fushës “Ekonomi-Sociologji-Drejtësi” nga gara përfundimtare.





Ju faleminderit.





Prof. Dr. Aurela Anastasi


Prof. Dr. Edmond Dragoti


Prof. Dr. Esmeralda Uruçi


Prof. Dr. Ilia Telo


Prof. Dr. Kosta Barjaba