Akademia e Shkencave (1)
Akademia e Shkencave (2)
Akademia e Shkencave (3)
Akademia e Shkencave (4)
Akademia e Shkencave (5)
Akademia e Shkencave (6)

Godina që mbreti Zog e stiloi si në vitet 1500 dhe që për vite me radhë shërbeu si parlamenti i Shqipërisë


Godina historike e Akademisë së Shkencave është shpallur monument kulture i kategorisë I. Duke vlerësuar rëndësinë historike dhe arkitektonike të godinës, si dhe potencialin arkeologjik të zonës përreth tij, Instituti i Monumenteve të Kulturës ka propozuar shpalljen e tij, monument kulture i kategorisë I. Me urdhrin nr. 67, datë 17.03.2016 Për shpalljen monument kulture i kategorisë I për objektin ‘Akademia e Shkencave, Tiranë’, ministri i Kulturës vë në mbrojtje ndërtesën e vetme historike të lidhur ngushtë me institucionet e shtetit shqiptar, prej kohës së shpalljes së Tiranës si kryeqytet në vitin 1920. Godina e Akademisë së Shkencave dallohet për vlerat e spikatura ndërtimore dhe arkitektonike nga jashtë dhe nga brenda. Objekti i përket tipologjisë së banesës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XIX, në funksion të shtresave më të pasura të asaj kohe. Si tipologji ngjan me banesat me çardak të mbyllur qendror, të cilat ishin të përhapura edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Themelet e saj pjesërisht janë mbështetur mbi muret rrethuese të kalasë së Tiranës. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quan të rëndësishme mirëmbajtjen e ndërtesës dhe për faktin që përdoret për funksion socialkulturor. Ndërtesa në vitet 1928-1939 ka qenë pallat mbretëror, ndërsa pas viteve ’70 aty ka zënë vend institucioni i Akademisë së Shkencave. Më përpara ajo ka qenë salla e parlamentit shqiptar dhe për një periudhë të shkurtër salla e Këshillit të Ministrave. Aty është shkruar një pjesë e rëndësishme e historisë së shtetit shqiptar. Pallati është ndërtuar në fillim të shekullit XX dhe ishte pronë e Zija Bej Toptanit. Hyrja për në ndërtesë në periudhën kur ishte sallë Parlamenti ka qenë perëndimi, ndërsa hyrja nga veriu është hapur kur ajo u shndërrua në pallat mbretëror. Vendosja e mbretit Zog në këtë ndërtesë u bë në vitet 1927-1928. Përpara se ai të akomodohej aty, pallatit iu bë një rinovim i përgjithshëm nën kujdesin e arkitektëve Kristo Sotiri dhe Scullati. Studioja e mbretit u stilua me mobilie të stilit të 1500-s. Godina do të merrte emrin që ka sot më 1972-shin, duke u kthyer në një nga institucionet më të rëndësishme shkencore në vend. Ajo përfshin shkencëtarë nga më të shquarit, akademikë, të cilët zhvillojnë veprimtari shkencore në institute dhe qendra kërkimore, si dhe organizma të tjerë shkencorë brenda e jashtë vendit. Akademia ka 26 anëtarë, akademikë; 13 anëtarë, akademikë të asociuar dhe 26 anëtarë nderi. Akademia ka dy seksione: seksionin e shkencave shoqërore dhe albanologjike dhe seksionin e shkencave natyrore dhe teknike. Në strukturën e saj përfshihen gjithashtu, njësia e projekteve të kërkim-zhvillimit teknologjik e inovacioneve, dega e marrëdhënieve me jashtë dhe me publikun, biblioteka shkencore dhe botimet.