KORCE - Ndryshimet e fundit të propozuara nga Ministria e Financave në ligjin për vjeljen e akcizave rrezikojnë të prishin traditën e prodhimit të rakisë së kumbullës në fshatin Rakickë të Devollit. Traditë e hershme në tërë zonën, falë së cilës bashkëfshatarët apo të afërmit e ministrit të Financave Ridvan Bode plotësojnë nevojat familjare për këtë produkt, të diktuar edhe nga kushtet e natyrës që favorizojnë rritjen e kumbullës më shumë se të kulturave të tjera. Bëhet fjalë për një produkt të destinuar të përmbushë nevojat personale të banorëve të fshatit me emrin shumë domethënës Rakickë, që sipas banorëve edhe pa u ngarkuar me taksa ka peshë të rëndë në ekonomitë e tyre familjare, qoftë pasi mbledhja e kumbullave të buta a të egra ka kostot e veta, qoftë edhe pse distileria më e afërt që gjendet në fshatin Progër, u merr jo pak, por 3 mijë lekë të reja për zierjen e çdo kuintali raki.
“Nuk jemi biznese”
Janë pikërisht këto kushte që i detyrojnë fshatarët të irritohen vetëm nga mendimi se nga rakia që prodhojnë shteti kërkon pjesën e vet në formën e taksës së akcizës. “Unë jam fshatar, do mbledh një kuintal kumbulla, qofshin këto të egra a të buta, e me to do të ziej raki. Por po pagova taksë, çfarë më mbetet mua. Unë jam i mbaruar po pagova taksë”, thotë Nedai Çiko, që as mund të besojë se shteti kërkon të vendosë taksë mbi një prodhim me të cilin ai, ashtu si familjet e tjera të fshatit, përmbushin nevojat e tyre. Ndërkohë që ashtu si edhe fshatarët e tjerë, nuk arrin të mësohet me mendimin se taksa mund të aplikohet mbi këto, pa bërë përjashtim nëse rakia prodhohet për përdorim familjar, apo për biznes. “Taksa mund të vihen për biznesin e madh, unë jam fshatar. Çfarë do fitoj unë. Unë jetoj majë malit”, nënvizon Nedai Çiko. Për fshatarët e tjerë, në këto kohë të vështira kur u janë pakësuar të ardhurat, të paguajnë taksa për një produkt nga i cili nuk nxjerrin asnjë fitim, madje kanë vetëm shpenzime, është tërësisht e papranueshme. “E vuan biznesi, por edhe fshatari i thjeshtë. Është një goditje për të tërë”, thotë Genci Baçi. “Nuk është normale. Në këtë kohë krize, shto një taksë këtu nga pijet alkoolike, shto një taksë nga toka, vështirësohet më shumë jeta”, shton më tej ai.
Kushëriri i Bodes: Nuk paguaj taksë
Një tjetër bashkëfshatar i Ministrit të Financave, i irrituar edhe më tej nga fakti se ligji i ri mban firmën e bashkëfshatarit të vet, i cili e njeh më së miri këtë traditë të zonës, thotë se në këtë kohë krize jo vetëm nuk po përkrahen, por po shtyhen drejt falimentimit përmes taksave nga të gjitha drejtimet. “Është vendim i gabuar, është një taksë e tepërt për fshatarin. Taksat sa venë e rriten nga të gjitha drejtimet, ndërkohë që bujku nuk përkrahet, kjo sjell falimentim, jo zhvillim, thotë Qemal Dule.
Ndërkohë që fshatarë të tjerë shprehen se as kanë ndërmend ta paguajnë taksën e re të propozuar nga bashkëfshatari dhe i afërmi i tyre. “Nuk më duket normale”, thotë Hilmi Bode, i afërm i Ridvan Bodes, i cili për më tepër banon vetëm disa metra larg shtëpisë së Ministrit të Financave në fshatin Rakickë: “Unë e blej, e fermentoj, paguaj edhe atë që ma zien, ndërkohë që unë ziej raki sa për vete. Na rëndon shumë, as na lë kusur të ngremë kokën”. Më tej shton se as ai, as fshatarët e tjerë, as që e kanë ndërmend ta paguajë taksën për rakinë që prodhojnë vetë. “Taksa nuk paguajmë ne. Rakinë do ta ziej e taksa nuk paguaj”, vazhdon bujku Bode. Ndërsa paralajmërohet se mund të gjobitet rëndë nga mekanizmat e drejtuar nga kushëriri i vet në rast se nuk paguan akcizën, tregon me dorë disa metra larg, aty ku gjendet shtëpia e Ministrit Bode dhe thotë me ton ironik: “Ridvani? Ja ku e kam Ridvanin”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: Ligji i akcizave, bashkëfshatarët e Bodes kundër Bode: Gjobë kazanëve të rakisë, shtyhet ligji. Idrizi kundër