Flet për “standard” Isuf Kalo, drejtor i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSAISH)








Nëse deri dje institucionet shëndetësore vetëshpalleshin të mira, me zbatimin e procesit të akreditimit shumë mite do të bien. A është i domosdoshëm akreditimi dhe çfarë përfitojnë spitalet e akredituara?





Është e vërtetë që deri më tani, shëndetësia jonë ka ecur duke presupozuar se është e akredituar, ne e kemi vetëshpallur veten që ne dimë të bëjmë atë që po bëjmë. Në këtë pikë hyn edhe procesi i akreditimit, verifikimi i vetes. Ky akreditim nuk bëhet vetëm mbi bazën e pamjes së jashtme, infrastrukturës, ambienteve, aparaturave, por në bazë të disa standardeve.


Ndoshta edhe për personelin shëndetësor është ende e paqartë se çfarë do të thotë akreditim. Akreditim do të thotë të konfirmosh besueshmërinë e një institucioni për misionin apo për kompetencat që pretendon që ka. Konfirmimi i kompetencave profesionale duhet të japë besueshmëri, në mënyrë që të besohet edhe nga spitalet. Kjo gjë bëhet nga një agjenci e specializuar dhe kjo kryhet nga qendra jonë. Akreditimi ndihmon qytetarët që të dallojnë reklamën nga e vërteta. Kjo e vërtetë është e bazuar në matjen e disa standardeve. Qendra jonë nuk vepron në bazë të opinionit, por në bazë të matjes dhe në bazë të standardeve të paracaktuara. Standardet me të cilat matet një qendër së pari duhen krijuar dhe kjo është një e drejtë e Ministrisë së Shëndetësisë, prandaj ajo thotë që shërbimi shëndetësor që ju do të ofroni, duhet kryer në bazë të disa standardeve. Procesi i caktimeve të këtyre standardeve është një proces më vete. Ka standarde minimale mbi të cilat lejohet një institucion të funksionojë, tashmë standardet minimale përdoren për të dhënë licencën. Pra, standardet minimale konfirmojnë që kjo qendër ka aftësi profesionale për t’u marrë me këtë gjë dhe e dyta, mjetet dhe stafi mjekësor që ka japin shërbimin qytetarëve. Qendrat që i nënshtrohen procesit të akreditimit pas përfundimit të procesit do të pajisen me certifikatë të cilën do ta vendosin në mur. Në këtë rast ne i rikthejmë publikut besueshmërinë që të themi të vërtetën është në krizë, veçanërisht tani që ka edhe sektor privat, njerëzit nuk dinë se ku të shkojnë.





Në cilën fazë ndodhet procesi i akreditimit?





Qendra jonë është në fazë përgatitore. Para se të arrish tek akreditimi, së pari duhet të bëhen standardet. Akreditimi është një proces i përmirësimit të brendshëm. Ne kemi krijuar standardet, ne nuk i kemi importuar standardet as nuk i kemi krijuar tonat, por kemi marrë disa modele të jashtme dhe i kemi adaptuar në kontekstin tonë. Këto janë seti i parë i standardeve që ne nisim këtë proces.





A kanë standarde institucionet shëndetësore që operojnë aktualisht në vend?





Realisht, nga shumëkush mund të mendohet se ka aq shumë mungesa, sa nuk mund të bëhet fjalë për standarde. Çdo institucion funksionon mbi bazën e disa standardeve. Ne kemi bërë standardet e spitaleve, madje kemi krijuar një rrjet në spitale. Këto standarde jepen të shkruara që t’i lexojë vetë spitali. Nga momenti që spitali i hyn këtij procesi, spitali fillon e shikon ku është vetë me to dhe fillon e përmirësohet. Ky është edhe thelbi i akreditimit, pasi qëllimi i tij është që t’i nxisë spitalet të hyjnë në proces të rishikimit të vetes dhe të kenë kohë dhe hapësirë që t’i rregullojnë gjërat që s’kanë dhe t’i plotësojnë në mënyrë që të bëhen gati për t’iu nënshtruar vëzhgimit të jashtëm.





Do të kenë standarde të ndryshme institucionet shëndetësore publike nga ato private?





Standardet do të jenë të njëjta. Kështu p.sh., nëse do të kurosh një x sëmundje ti si institucion shëndetësor duhet të kesh këto gjëra. Ne kemi 17 fusha që shikojmë. Ne shikojmë si menaxhohet spitali, si menaxhohen njerëzit, si menaxhohet informacioni, si është urgjenca, si është farmacia, si është laboratori, si është kujdesi për të sëmurët, si informohen ata. Janë një sërë aspektesh ku secili prej tyre ka një numër treguesish dhe caktohet edhe metodologjia si do të matet. Ne jemi ende në fazën përgatitore, pasi kemi bërë standardet. Ky është një proces në fazat fillestare, ne ua kemi dhënë standardet, spitalet bënë vetëvlerësimin e parë. Për t’ua lehtësuar, ne ua bëmë në formë dixhitale, i trajnuam ata për t’u treguar se si duhet ta masin. Natyrisht që vlerësimi i parë ishte disi jo objektiv, pasi disa spitale e kanë vlerësuar veten më shumë se ç’duhet, të tjerë e kanë vlerësuar veten më pak. Edhe procesi i vetëvlerësimit është një proces që kërkon kohë. E vërteta është se, që procesi i akreditimit të ketë sens, duhet që vetë spitali t’i duhet akreditimi, pasi siç e thashë, deri më tani institucionet shëndetësore janë vetëquajtur të akredituara, nuk janë vënë në pikëpyetje nëse shërbejnë atë çka duhet të shërbejnë. Sigurisht që ka vende në botë që procesin e akreditimit e përdorin për të mbyllur, por ne nuk e kemi këtë tendencë. Procesi i akreditimit është proces i përmirësimit të vazhdueshëm. Procesi i akreditimi është proces presioni që i bën vetes spitali, por edhe që i bën që ai të përmirësohet.





Çfarë ndodhi pas fazës së vetëtestimit të spitaleve?





Ne i dhamë çdo spitali një kod: Vlerësoni veten në mënyrë anonime. Qëllimi ynë është të ndërgjegjësojmë për boshllëqet që kanë të bëjnë me matje objektive të vetvetes. Ne i thirrëm spitalet dhe u paraqitëm gjendjen në të cilën ndodhen përmes kodeve, por asnjëri prej tyre nuk e dinte se kush ishte numri tre e kështu me radhë, sa pikë kishin arritur nga pikët e vendosura. Ne vumë një nivel prej 70 për qind që të kalonte dhe asnjëri nuk e kaloi, as nga vetëvlerësimet e tyre. Procesi i akreditimit ende nuk ka filluar. Ka një shpërpjesëtim midis ndërgjegjësimit të spitaleve dhe procesit të akreditimit. Këtu kanë luajtur rol disa faktorë, si ndryshimi i drejtorëve të spitaleve, si dhe një sërë mangësish. Ende nuk i kemi vlerësuar. Në këtë fazë ne i kemi njohur me standardet, në këtë fazë ne i kemi mësuar si ata vetë t’i masin. Akreditimi, ndryshe nga inspektimet, ka një fazë vetëvlerësimi para se të vijnë të vlerësojnë të tjerët ty. Akreditimi është një presion që të bëhet që ti të arrish në një nivel të caktuar. Ata duhet ta krijojnë vetë standardin dhe ta përmbushin atë. Ky është një proces i pashmangshëm. Ne e kemi të detyrueshme këtë gjë, akreditimi është i domosdoshëm për shërbimin shëndetësor.





Përveç akreditimit të spitaleve, a do të ketë shtrirje të këtij procesi edhe në sektorë të tjerë të shëndetësisë?





Ne e kemi nisur me spitalet, por qendra jonë do të vazhdojë edhe në fushat e tjera. Kemi bërë standarde për stomatologët, shërbimin parësor, laboratorët, për qendrat diagnostiko, farmacitë. Ne deri tani jemi në fazën përgatitore, pasi ne ende nuk kemi nisur asgjë. Ne kemi bërë fazën përgatitore. Bërja e standardeve është një proces ku janë përfshirë të gjitha palët. Ne jemi disa hapa para vendeve të rajonit, as Kroacia dhe as Serbia nuk ka ende një qendër të tillë. Ne jemi ende në fazën përgatitore.





Neni 25 i ligjit “Për kujdesin shëndetësor” përcakton që të gjitha institucionet dhe spitalet shëndetësore duhet të akreditohen nga ju. Mos është kjo një formë presioni për të rritur detyrimisht standardet e shërbimeve shëndetësore?





Në momentin që do të hyjë ligji në fuqi, normalisht që do të ketë njëfarë presioni, pasi shkaku kryesor aktualisht i mosinteresimit të këtyre qendrave shëndetësore për të bërë procesin e akreditimit është mungesa e presionit dhe se nuk e ndiejnë të nevojshme. Autoriteti që do t’i blejë shërbimet do ta vërë si kusht që të blejë atje ku janë të akredituara. Kjo do të nxisë akoma më shumë që procesi i akreditimit të ecë më shpejt. ISKSH-ja mbase mund të mos bëjë kontratat me subjekte shëndetësore, pasi nuk është e akredituar. Tregu do të jetë ai që do të rrisë vlerën e akreditimit. Është presioni që ushtron tregu që do të rrisë nevojën që institucionet shëndetësore të jenë të akredituara madje të nivelit evropian.





Do të ndëshkohen institucionet shëndetësore të paakredituara? Certifikata e akreditimit është e përjetshme?





Akreditimi nuk ka ndëshkim, është vetëm përmirësim, përmirësim i detyrueshëm. Do të jenë vetë subjektet shëndetësore që do ta ndiejnë të nevojshëm procesin e akreditimit, sepse del jashtë tregu. Kush të dojë le të mos akreditohet, por do të dalë jashtë radhe vetë. Ne nuk do të plotësojmë dot kërkesat, pasi do të ketë fluks kërkesash për akreditim. Akreditimi që merret, nuk do të jetë i përjetshëm. Do të këtë shikim të standardeve dhe vlerësimeve të vazhdueshme. Kjo do të krijojë një faqe të re të shëndetësisë sonë që ka qenë një shëndetësi e vetëshpallur si e mirë dhe e pakontrolluar.











Neni 25





Akreditimi





1-Të gjitha institucionet shëndetësore duhet të akreditohen nga QKCSA, për të vlerësuar shkallën e plotësimit, nga ana e tyre, të standardeve të përcaktuar, porsa i përket objekteve fizike, organit qeverisës, administrimit dhe procedurës, proceseve të kodifikimit për përcaktimin e protokolleve mjekësore dhe personelit mjekësor e personelit tjetër.





2-Rregullat dhe mënyra e realizmit të procesit të akreditimit të institucioneve ë kujdesit shëndetësor, private ose publike, përcaktohen me VKM.








Neni 20





Standardet e përgjithshme për institucionet e kujdesit shëndetësor





2-Ministri i Shëndetësisë nxjerr normat dhe standardet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, që do të përmbushen nga institucionet e kujdesit shëndetësor, për objektet fizike, pajisjet dhe kualifikimet e burimeve njerëzore.





Akreditimi, një proces krejt i ri për shërbimet shëndetësorë në vendin tonë. Kjo do të krijojë një faqe të re të shëndetësisë tonë që deri tani ka qenë një shëndetësi e vetëshpallur si e mirë dhe e pakontrolluar. Përmes këtij procesi synohet që të përmirësohet performanca dhe cilësia e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Institucioni që do të kryejë akreditimin do të jetë Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA). Shumë shpejt ky proces do të jetë i detyrueshëm nga ligji “Për kujdesin shëndetësor”, institucionet shëndetësore do të jenë vazhdimisht nën procesin e akreditimit, pasi në këtë mënyrë ato kontrollohen nëse ruajnë standardet në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Isuf Kalo drejtor i QKCSAISH-së flet për “Standard” për procesin e akreditimit, domosdoshmërinë e tij dhe avantazhet që do tu sjellë institucioneve shëndetësore publike dhe private në vend. “Akreditimi i rikthen publikut besueshmërinë që të themi të vërtetën është në krizë, veçanërisht tani që ka edhe sektor privat, njerëzit nuk dinë se ku të shkojnë spitalet shtetërore kanë shumë mangësi në dhënien e shërbimeve”- shprehet Kalo.