Prizren, 26 gusht - Një femër, S. Haskaj, 47 vjeçare, sipas dëshmitarëve nga rrethina e Pejës, humbi jetën përderisa dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime në një aksident në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë, në afërsi të fshatit Krushë e Madhe, konfirmoi të enjten policia në Prizren.
Vetëaksidenti me pasoja fatale ndodhi para dite në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të pompës së karburanteve “Bashkimi” në Krushë të Madhe, përderisa një veturë është përplasur në stabilimente metalike të këtij objekti.
Duke konfirmuar rastin, policia rajonale në Prizren, njoftoi se nga aksidenti në vendin e ngjarjes ka mbetur një femër e vdekur, 47 vjeçarja S. Haskaj, përderisa lëndime kanë pësuar shoferja dhe një bashkudhëtar tjetër.
Sipas hetuesve të trafikut, dyshohet se shoferja e veturës ka filluar tejkalimin e një traktori dhe nga mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin dhe është përplasur në objekte metalike të pikës së karburanteve, që ndodhet skaj rrugës, përballë hyrjes kryesore për në fshatin Krushë e Madhe.
Kjo pjesë e aksit rrugor Prizren-Gjakovë shquhet për aksidente të shumta trafiku, disa prej të cilave që kanë përfunduar me vdekje në vendngjarje.
Ndryshe ky është aksidenti i dytë me pasoja fatale brenda dy jave në rajonin e Prizrenit, ndërsa 47 vjeçarja që sipas disa dëshmitarëve në vendin e ngjarjes ishte nga rrethina e Pejës, është viktima e katërt e trafikut brenda një periudhe të shkurtër.
Gati dy javë më parë në afërsi të fshatit Balincë të Malishevës, në një aksident të rëndë trafiku humbën jetën tre persona të moshës rinore, dy prej të cilëve kushërinj.
Mbështetur në shënimet e policisë del se nga janari e deri në korrik të këtij viti, nga 17 fatkeqësitë fatale të komunikacionit, në rajonin e Prizrenit vdiqën 21 persona, të moshave të ndryshme. Shifrat dalin edhe më alarmante kur këtij numri i shtohen edhe katër viktimat e muajit gusht, që çojnë në 25 numrin e të vdekurve në këtë vit.
Në të shumtën e rasteve, si shkaktar kryesor të aksidenteve, policia ka veçuar mungesën e kulturës në komunikacion, pastaj mosnjohjen dhe mosrespektimin e rregullave dhe rrethanave nga pjesëmarrësit në trafik.