ELBASAN- Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e djeshme në afërsi të fshatit Papërr në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Tre automjete janë përplasur me njërit tjetrin dhe për pasojë janë dëmtuar tre persona, në mes të cilëve edhe një vajzë 20- vjeçare. Mësohet se tre të plagosurit janë transportuar menjëherë në drejtim të spitalit kirurgjik të Elbasanit. Vajza 20- vjeçare, Fiqnete Bitri, ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo ka qëndruar për disa orë në sallën e operacionit por enden nuk ka dalë nga rreziku. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia rrugore. Nga verifikimet e para mësohet se janë përplasur tre mjete përkatësisht me targa "DR7975C", "TR 3486 N" dhe "KO 4396 B". Ende nuk është përcaktuar se kush ka qenë shkaku  i aksidentit por mësohet se nga përplasja janë dëmtuar 20- vjeçarja Fiqnete Bitri, Hasan Bitri, 59 vjeç dhe Leonard Hoxha, drejtues i njërit prej automjeteve. Ndërkohë drejtuesit e tjerë janë shoqëruar për në komisariatin e policisë së Elbasanit për të dhënë shpjegime mbi shkaqet e aksidentit. Mësohet se shpejtësia e madhe dhe shkelja e rregullave të qarkullimit. Rruga nacionale Elbasan-Peqin është mjaft e ngarkuar gjatë këtyre ditëve nga fluksi i pushuesve, kthimi i emigrantëve dhe mjetet e tonazhit të rëndë që lëvizin në këtë rrugë duke u bërë shkak shumë herë për aksidente të rënda me pasoja. B. Nergjoni