Nga Dritan Ikonomi




Futbolli i Elbasanit dhe i gjithë Shqipërisë është tronditur sot nga një akt terrorist kundër, kur një dorë kriminale e paidentifikuar ka vendosur eksploziv në derën e banesës së Arben Lazes, presidenti i kampiones së vendit. Motivet e këtij akti terrorist janë ende të panjohura dhe ndoshta nuk kanë të bëjnë aspak me statusin e Lazes si president i skuadrës verdheblu. Gjithësesi, kjo nuk e bën më pak viktimë futbollin, i lodhur e i rraskapitur në këtë tranzicion pa fund të Shqipërisë, dhe i mbijetuar falë investimeve e pasionit të njerëzve si Laze. Qytetari Arben Laze nuk njihet nga ajo cfarë bën në jetën e tij private ose në biznes. Për të gjithë ai është presidenti i Elbasanit. President i asaj skuadre të cilën e nxorri nga bataku i vendeve të ulëta të renditjes, ku rrezikonte të thithej nga vorbulla e kategorisë inferiore, dhe e ngjiti atje ku nuk e mendonte kush, në majën e kampionatit. Bashkë me Tiranën, verdheblutë janë elita e futbollit shqiptar, janë dy skuadrat që në dy sezonet e fundit kanë dominuar, duke ndarë me njëra-tjetrën dy vendet e para, ndërkohë që të tjerët, përfshirë edhe të mëdhenjtë historikë, kanë heshtur. Në këto dy sezone, ka qenë pikërisht Elbasani ai që sfidoi, deri sa i dha fund, hegjemoninë e Tiranës dominuese, duke rikthyer spektaklin dhe rivalitetin aq të dëshiruar e të munguar në kampionatet kombëtare. Nga përpëlitja për mbijetesë, në një fuqi reale të futbollit shqiptar! Kjo është metamorfoza e Elbasanit, falë punës e pasionit të një grupi të shkëlqyer, bashkëngjitur dëshirës dhe investimeve pa kursim të presidentit Laze. Prandaj dhe akti terrorist i mëngjesit të së premtes, adresuar ndoshta kundër qytetarit Laze, është një atentat direkt kundër futbollit të Elbasanit dhe atij kombëtar, i tronditur nga ajo sasi tritoli që ka dëmtuar shumë më tepër se një derë apartamenti.