Qeveria i jep një vit kohë pushtetit lokal për plotësimin e akteve të pronësisë. Këshilli i Ministrave ka bërë dje një ndryshim në vendimin për "shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Komisionet vendore urdhërojnë kryetarët e komunave dhe bashkive të plotësojnë aktet e marrjes së tokës në pronësi, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, në rastet kur komisioni i tokës së fshatit nuk ka plotësuar dokumentacionin ligjor të ndarjes së tokës. Ky vendim është edhe për familjet bujqësore ose individët, që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore dhe janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe që për këtë sipërfaqe nuk janë lëshuar akte të marrjes së tokës në pronësi për persona të tjerë. Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet në komisionet vendore dhe pas verifikimit i kalohet SAMT-it të qarkut. Për çdo rast të mospranimit të marrjes së këtij dokumentacioni nga familjet bujqësore ose individët, mbahet procesverbal për refuzim toke. Familjet bujqësore, që refuzojnë të pajisjen me aktin e marrjes së tokës në pronësi sipas këtij ligji dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë atë, u nënshtrohen sanksioneve të parashikuara të këtij ligji.