Në kohë të vështira është e nevojshme që problemet të sheshohen, pavarësisht sa të mëdha mund të jenë ato. Kjo e ka detyruar trajnerin e Tiranës, Alban Tafaj, që t‘i japë fund pezullimit të sulmuesit Migen Memelli. Debatet mes palëve filluan në sfidën e luajtur në Korçë një javë më parë dhe për këtë arsye, golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar nuk u aktivizua në Kupë përballë Lushnjës. Dje gjithçka ka ndryshuar: Memelli ishte i grumbulluar për sfidën e Gramozit, por ai qëndroi jashtë formacionit titullar. Sulmuesi hyri në fushë në të 54-ën, pak çaste pas golit të barazimit të Gramozit. Gjithsesi, pavarësisht dëshirës dhe rrezikshmërisë që 29-vjeçari shfaqi përpara mbrojtjes kundërshtare, ai nuk arriti t‘i jepte fitoren Tiranës.



e.k.