Dikur studentë, na jepeshin detyra të tipit: Krijoni dhe hidhni në skenë një fabul, nëpërmjet të cilës përcillni një ide apo qëllim, të thoni diçka. Dhe ne mundoheshim të luanim me koncepte stërmadhore apo hiperuniversale, duke u bërë qesharakë në sy të pedagogëve. Në një prej emisioneve politike shqiptare më të ndjekur, dje u përballa me një shembull tipik. Veçse, këtë radhë me keqardhje ju them se nuk ishin studiot gri të Akademisë së Arteve, por një tufë studentësh në jetë, krijues të një palaçollëku të tillë. Dhe kjo gafë ishte jo vetëm e studentëve, por edhe rezultat i pedagogëve të tyre të lodhur, atyre pedagogëve, të cilët dinë të luajnë bukur prapaskenat dhe interpretojnë në mënyrën më mediokre fjalimet plot premtime boshe, e që nuk dinë të zhvillojnë shiritin në bukurinë dhe pafundësinë e tij, por instinktin kafshëror të pabesisë, imoralitetit dhe gjithçkaje që personifikon zbrazëtinë e mosthënies të të vërtetave jetësore.



Është për të ardhur keq se si disa të rinj mundohen t‘i hedhin rrënjët në kalbëzimin e sistemit pa sistem politik, tashmë plak, por me dhëmbë të mprehtë. Kjo letër e hapur është për ju, miqtë e mi, bashkëmoshatarë gjenealogjikisht, por aspak në mendësi e vizione. Një kakofoni e shëmtuar aspak e denjë për skenat tona, që as në estradat amatore nuk kanë pasur një mungesë të tillë dëgjimi si ju, miqtë e mi, të cilët veshët dhe gjykimin e ftohtë latë në sirtarët e liderëve tuaj. Kaq të verbër jeni miqtë e mi? Apo jeni thjesht vogëlushë të pangopur për të kapur një cep në profesionin më të shëmtuar momentalisht në Shqipëri? Atë të politikanit... Mendoni se me ngjyrat tuaja të ndryshme që mbartni me ballë krijoni ylberin? Si rregull ashtu duhet të ishte. Por jo! Dje krijuat një ngjyrë si ato kryqëzimet plot defekte gjenetike. Më kujtuat kokat e panumërta të kuçedrës së Hidrës, apo motrës së saj, që i zuri Qerosit burimin e ujit. Mos duhet të them ... turp ndoshta? Mos vallë do të ishte më e ndershme të vinit nga një maskë, të merrnit nga një shpatë dhe të ziheshit mes njëri-tjetrit? Kështu të paktën do të kishit qenë më komikë ose do të na kishit dhuruar pak aventurë. Nëse do të provonit të luanit në ndonjë komedi apo spektakël humori, me siguri duartrokitjet do të ishin të paktën të sinqerta. Audicionet janë gjithmonë të hapura. Por më parë duhet të kuptoni diferencën dhe të mësoni se çdo të thotë marrëdhënie, e pse jo, edhe dëgjim.



A dini të ndani, miqtë e mi, konceptin mes debatit konstruktiv dhe sherreve fëmijënore të tipit "pse ma lëpive gjalpin"? Deri dje kam menduar se ju, me arsimin, diplomat dhe masterat tuaj aq të deklamuar, do të ishit shpresë për një vend që ka nevojë për ne, dhe jo disa personazhe filmash western, skenat e të cilëve priten për shkak të paaftësisë për t‘i përshtatur në film. "Të gjithë vetëm flasin, asnjë nuk dëgjon", thoshin "Elita 5", në një nga këngët e tyre. Dhe ju presupozoheni të jeni elita e ardhshme e këtij vendi. Por "Elitë" nuk mund të bëheni me këngë të vjedhura plot tekste vulgare. Më të lodhshëm se të mëdhenjtë! - një fjalë e dalë nga shpirti i drejtuesit të emisionit, një fjalë që nuk mund të kalojë pa u vënë re, një mendim spontan i të gjithë neve, që me keqardhje ju pamë, ju ndoqëm dhe që me shumë dëshirë ju përndoqëm.



Miqtë e mi! Nëse kërkoni punë, me gjithë qejf mund t‘ju ndihmojmë. Pse jo, t‘u ofrojmë skena ku të merrni duartrokitje të dashura simpatizantësh dhe jo brohoritma boshe militantësh. Por para se të paraqiteni, duhet të plotësoni disa kritere të domosdoshme, si fantazia, fuqia për të realizuar ëndrra të bukura. Për të luajtur duhet mendim e jo buzëqeshje cinike, pas fjalëve plot nëntekste mediokre e pa asnjë pikëz, sado të vogël, vizioni. U thanë shumë asgjëra atë natë dhe konkluzioni ynë ishte: Oh sa gallatë, oh sa sallatë!!!



Në përfundim, një lutje kam për ju, sa nuk është vonë: Ndajeni sa jeni në kohë, miqtë e mi. Do të jeni aktorë apo palaçot e mbretërve tuaj, sepse nëse digjeni si atë natë, sërish ne do të themi: Oh sa gallatë, oh sa keq...!