Autori i Lajmit: Redaksia




Uashington - Përkeqësohet edhe më shumë pozicioni i Roman Polanskit, i cili ndodhet në arrest shtëpie në Zvicër, në pritje të ekstradimit të mundshëm drejt SHBA. Sharlote Levis, aktorja britanike 42-vjeçare, ka drejtuar gishtin kundër regjisorit, duke treguar se ka qenë edhe ajo viktimë e tij. Ajo nuk lëshoi ndonjë intervistë, por vetëm lexoi një komunikatë përpara gazetarëve. Polanksi duhet të ketë abuzuar me të, kur ishte vetëm 16 vjeç, pasi e kishte njohur dhe e kishte dërguar në apartamentin e saj, duke përdorur dhunë. Dhe gruaja i ka shpjeguar kështu arsyet e këtij rrëfimi të vonshëm: “Vendosa të zbuloj sekretin tim, sepse Polanski dëshiron të kthehet në Amerikë dhe, ndonëse kanë kaluar shumë vite, është e drejtë të paguajë për krimet që ka kryer. Kam udhëtuar në SHBA me shpenzimet e mia, për të qenë e sigurt se më në fund do të vendoset drejtësia në vend. Zoti Polanski duhet të marrë atë që meriton. Ajo që kërkoj është vetëm drejtësia”. Pak ditë më parë, regjisori ka thyer heshtjen në lidhje me kërkesën e ekstradimit të tij, duke thënë se qëllimi kryesor i gjithë ngjarjeve të fundit është “shërbimi i kokës së tij në pjatën e medias”. “Unë kam dramat dhe gëzimet si të gjithë njerëzit e tjerë dhe nuk kam ndërmend të kërkoj mëshirë. Kërkoj vetëm të trajtohem me ndershmëri, ashtu si çdo person tjetër”, - tha Polanski. Ai shtoi se çështja kundër tij është e padrejtë. Një nga ankesat e Polanskit është se avokati i kontesë së Los Anxhelosit, Steve Cooley, i cili po merret me procedurat e ekstradimit, kërkon publicitet në media. Zëdhënësja e avokatit të kontesë, Sandi Gibbons, tha se zyra e tyre nuk do të bëjë asnjë koment, derisa Zvicra të marrë një vendim për statusin e Polanskit në arrati. Autoritetet zvicerane po përpiqen të vendosin ta ekstradojnë apo jo Polanskin me akuzën e përdhunimit të një vajze minorene 13-vjeçare në vitin 1977. 76-vjeçari është akuzuar më 1977 për ngacmime seksuale ndaj minorenes Samanta Geimer, e cila aspironte për tu bërë një modele. Ajo shkoi në Hollivud për të shkrepur një set fotografik me Polanskin. Tani, nënë e tre fëmijëve, ajo jeton e qetë në Havai dhe e ka falur regjisorin publikisht më 1997.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2010