Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar sot ndaj deklaratave para Komisionit të Ligjeve i kryetarit të Inspektoriatit të Përgjithshëm të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë se prokuroria përdor standarte të dyfishta në hetimin e rasteve të referuara nga ILDKP se vendimet për mbylljen e dosjeve të zyrtarëve të akuzuar, janë lënë në fuqi nga Gjykatat duke u konsideruar të bazuara në ligj dhe në prova.

Prokuroria vendimarrjen, në rastin e hetimeve penale, e bazon në provat e administruara gjatë hetimit nga policia gjyqësore", thuhet në deklaratë.

Sipas saj, në rastin kur pushohen hetimet vendimet e prokurorisë në bazë të ligjit janë të ankimueshme në gjykatë dhe tek prokurori më i lartë.

"Prokuroria gjatë vitit 2009, për kallzimet e paraqitura nga ILDKP, ka pushuar hetimet për shtetasin Florian Nova me detyrë ambasador, shtetasin Arjan Ndoja me detyrë prokuror dhe shtetasin Shpëtim Guxholli me detyrë inspektor tatimesh në Korçë.

ILDKP është njohur rast pas rasti me vendimet e pushimit dhe ka ankimuar në gjykatë vendimet e pushimit vetëm për shtetasit Florian Nova dhe Arjan Ndoja", pohon prokuroria e Përgjithshme.

Sipas saj, Gjykata e Tiranës me vendimet Nr.1466 datë 25.11.2009 dhe Nr.523 datë 22.04.2009 ka lënë në fuqi vendimet e pushimit të prokurorisë si të bazuara në prova dhe ligj.

"Fakti që vendimet e pushimit të prokurorisë të ankimuara nga ILDKP janë konsideruar të drejta nga gjykata tregon se vendimarrja e prokurorise nuk ka qënë me standarte të dyfishta, por e bazuar në ligj", shprehet zyra e Prokurores së Përgjithshme.

Sipas saj, zyrtari i lartë i emëruar nga Kuvendi, për të cilin ILDKP pretendon se janë mbyllur hetimet pa të drejtë nga prokuroria, është shtetasi Detar Hysi me detyrë anëtar i KKRTSH.

"Ky është një rast i vitit 2008 i kallzuar nga ILDKP për refuzim deklarimi nga shtetasi Detar Hysi. Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve për faktin se ILDKP nuk kishte ezauruar më parë masën administrative që kërkon neni 257/a, paragrafi i 2 i Kodit Penal.

Vendimi i pushimit i është bërë prezent ILDKP dhe nuk është kundërshtuar nga ana e tyre as në gjykatë dhe as tek prokurori më i lartë", përfundon deklarata.