Pas akuzave të Partisë Socialiste ndaj kunatit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha, për zotërimin e disa kompanive marketingu, ka reaguar edhe ky i fundit. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Basha i cilëson këto akuza si propagandë të Ramës. Sipas Bashës, kjo është shpifje nga shërbëtorët e mercenarët e Ramës për të mbrojtur pushtetin.


Propaganda e Ramës i ka ndezur të gjithë motorët. Shpifje e përbaltje nga shërbëtorët e mercenarët e Ramës për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Padronit dhe klientëve të tij. Hendeku midis oborrit të Ramës dhe njerëzve të thjeshtë do të thellohet. Unë jam në anën e njerëzve! shkruan Basha në Tëitter.


Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, pas këtij postimi të Bashës.


Rama shkruan në Twitter: Kur një parti politike shpall si platformë dhunën verbale mbi sipërmarrësit ka ngatërruar sistemin ku vepron;ka harruar arsyen pse ekziston; ka marrë fund si alternativë qeverisëse e është kthyer në maskë gjobvënëse! Kur këtë parti pastaj e drejton LB ferra e ka marrë fare uratën.


Më herët, Partia Socialiste akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se kunati i tij, Erion Isufi zotëron jo një, por plot gjashtë kompani reklame dhe konsulence.


A e dini se vetëm Landmark Communications dhe Premium Print, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë. Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2.2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra. Pra, një rrjet kompanish që qarkullojnë shuma kolosale, deklarojnë se u mbeten në xhep po aq sa fitojnë shumë biznese të vogla qe kanë një marzh fitimi prej më pak se 5%. Por, mashtrimi me taksat është halli më i vogël që ka Luli dhe familjarët e tij, u shpreh deputetja socialiste Klotilda Bushka.


25 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)