TIRANE - Alarm fals për bombë në zyrat e televizionit "Alsat". Një telefonatë anonime e cila pretendoi se eksplozivi do shpërthente në ambientet e televizionit, tek rruga "Siri Kodra", ka alarmuar Policinë e Tiranës. Brenda pak minutave, më shumë se 100 efektiva policie shkuan në vendngjarje dje rreth mesditës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit në sallën operative të Drejtorisë së Tiranës, rreth orës 11:15, persona ende të paidentifikuar lajmëruan se një bombë do shpërthente tek televizioni "Alsat". Shërbimet e Komisariatit nr.3, oficerë të Antiterrorit, Antieksplozivit dhe ekspert xhenierë, rrethuan godinën dhe evakuuan stafin e radiotelevizionit, si dhe banorë të zonës përreth. Përgjatë kontrolleve për gati një orë, nuk u zbulua asnjë bombë e vendosur ashtu siç pretendohej nga telefonuesit anonim dhe rezultoi se alarmi ishte i rremë. Nga hetimet paraprake të policisë, telefonata që njoftonte vendosjen e bombës është bërë nga një kabinë telefonike jo shumë larg godinës së televizionit "Alsat", në rrugën "Besa". Pas kontrollit të imtësishëm në ambientet e brendshme dhe të jashtme të godinës, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i cili drejtoi vetë operacionin tha se njoftimi për bombë ishte i rremë. "Godina është e sigurt. Punonjësit mund të rikthehen. Nuk ka asnjë lloj problemi", u shpreh Vocaj. Grupi hetimor pasi ka lokalizuar kabinën nga është bërë telefonata dhe ka shoqëruar për të marrë në pyetje 3 persona të dyshuar. e.d