Teodoridhis konfirmon se Shqipëria nuk ka stadium sipas standardeve
Ermal Kuka
Shqipëria rrezikon të luajë në transfertë edhe ndeshjet në shtëpi. Këtë e ka konfirmuar zv/sekretari i përgjithshëm i UEFA-s dhe njëkohësisht shefi i Komisionit të Federatave të këtij institucioni, Teodor Teodoridhis, i cili ka qenë në Shqipëri për të zyrtarizuar këtë paralajmërim të ndërkombëtareve edhe para përfaqësuesve të qeverisë së re në vendin tonë.
Drejtuesi i lartë i UEFA-s, bashkë me drejtuesit e FSHF-së, presidenti Armand Duka dhe sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku, është takuar dje me zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku, e më pas me ministren Lindita Nikolla, për të diskutuar rreth këtij problemi që shoqëron prej vitesh vendin tonë, ku nuk është vënë asnjë dorë mbi stadiumet e ndërtuara disa dekada më parë. Teodoridhis ka bërë të qartë se me kushtet aktuale të stadiumeve, është e pamundur që të zhvillohen në vendin tonë ndeshje ndërkombëtare, si në nivel kombëtaresh ashtu edhe klubesh. Siç shpjegoi vetë përfaqësuesi i UEFA-s, ky takim ishte për të diskutuar bashkërisht opsionet që shfaqen dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, pasi në shtator, Shqipëria nis kualifikueset e Euro 2016.
U diskutuan disa tema dhe një prej tyre ishin stadiumet në Shqipëri, pasi aktualisht këtu nuk ka një të tillë për të zhvilluar ndeshje që përmbushin kërkesat e UEFA-s, u shpreh Teodoridhis pas përfundimit të këtij takimi. UEFA, bashkë me FSHF-në, i foli ministrisë rreth opsioneve që kemi. Duhet të shohim në plane afatgjata, pasi në një pikë të caktuar duhet të kemi këtu një stadium që është në gjendje të zhvillojë ndeshje të standardeve të larta të kombëtares dhe të klubeve në arenën ndërkombëtare. Por njëkohësisht kemi një problem për shtatorin, pasi në shtator, kërkesat për ndeshjet e kombëtares janë relativisht të larta dhe aktualisht nuk ka asnjë stadium që përmbush këto kërkesa. Ajo që duam të evitojmë është që Shqipëria të mos luajë ndeshjet e shtëpisë jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse jemi këtu, bëri të qartë drejtuesi i UEFA-s.
Nëse më parë ky kërcënim është dukur thjesht një mënyrë për të përshpejtuar bashkëpunimin mes shtetit shqiptar dhe FSHF-së, këtë radhë Teodoridhis ka folur pa dorashka, duke bërë të qartë se ekziston mundësia konkrete që kombëtarja shqiptare të mos luajë më në Shqipëri. Sipas tij, investimi në një impiant është urgjent, duke ia kaluar topin kësisoj shtetit shqiptar dhe FSHF-së për lëvizjen e radhës. Stadiumi Qemal Stafa aktualisht nuk përmbush kriteret. Ndaj ne duhet të gjejmë zgjidhje që në shtator të ketë një stadium në Shqipëri që ti përmbushë ato. Nëse përmirësimi i kushteve bëhet në Qemal Stafa apo në një stadium tjetër, ky është një vendim politik që nuk është në dorën tonë, i takon FSHF-së dhe ministrisë. Ekziston rreziku, por arsyeja pse jemi këtu sot është se folëm me të gjithë rreth tij dhe si të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që kjo gjë të mos ndodhë, u shpreh drejtuesi i lartë i UEFA-s.
Trukimi i ndeshjeve
Pas takimit në MAS, delegacioni i UEFA-s, ku bënte pjesë edhe Emilio Garcia, kryetari i Komisionit Disiplinor të UEFA-s dhe Urs Kluser, oficeri i integritetit, ka vizituar Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka zhvilluar një takim me prokurorin Shkëlqim Hajdari, një prej iniciatorëve të përmirësimit të kuadrit ligjor të luftës kundër trukimit të ndeshjeve. Drejtuesit e UEFA-s kanë sqaruar se takimi në fjalë nuk ishte për të bërë raportime, por për të vendosur lidhje të drejtpërdrejta institucionale. Deri tani kemi dërguar raportet e trukimeve në federatat e çdo vendi. Por një federatë nuk është policia, nuk është FBI-ja, është një organizatë sportive. Ndaj ne kemi marrë vendimin që të bëjmë një kontakt direkt me prokurorinë në secilin prej vendeve anëtare të UEFA-s dhe ky ishte qëllimi i këtij takimi. Është e vërtetë që kemi pasur probleme në Shqipëri në të kaluarën, por tani nuk dua të spekuloj dhe pres të shoh rezultatet e këtij bashkëpunimi të ri të ndërsjellë, deklaroi Teodoridhis pas këtij takimi.
Deklarata
Duka: Duhen 1 milion euro, por shteti thotë si kemi!
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë të qartë se institucioni që ai drejton nuk ka një buxhet për të përballuar rikonstruksionin e një prej stadiumeve shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të mos rrezikojë eksodin në një vend tjetër. Përfaqësuesit e UEFA-s kanë ardhur të shqetësuar, pasi akoma nuk kemi përcaktuar se ku do të luajmë ndeshjet kualifikuese të Francë 2016. Për FSHF-ja është e pamundur që të financojë dhe nuk është detyra e saj, nuk mund të financojë rikonstruksionin e ndonjë stadiumi alternativ, kuptohet nëse do të fillojë ndërtimi i stadiumit të ri Qemal Stafa. Kështu që kërkohet që qeveria ta mbështesë me fonde, ndryshe ne nuk mund të luajmë në Shqipëri. Stadiumi, i cili është më afër për tu ngjitur në nivelet e duhura mund të jetë stadiumi i Shkodrës. Sa kushton? Nuk jam inxhinier, nuk i di mirë të gjitha kushtet e kërkuara, por besoj se kërkon një investim minimal 1 milion euro. Unë uroj që qeveria shqiptare apo një bashki të marrë iniciativën dhe të investojë, tha ai pas takimit në MAS. I pyetur rreth gatishmërisë së përfaqësuesit të ministrisë për tu bërë pjesë e projektit, Duka është treguar pak skeptik. Uroj të mos jetë e vërtetë, por e pashë pak të rrudhur, duke thënë e vështirë sepse skemi para.
Ky shkrim Alarmi i UEFA-s: Aktualisht mund të luani vetëm jashtë! u publikua me pare te Gazeta SHQIP.