Vetëm pak ditë më parë në spitalin rajonal të Durrësit u nda nga jeta një vajzë 7-vjeçare, e cila ishte e prekur nga gripi.


Kjo ngjarje ka ngritur alarmin tek bluzat e bardha dhe Ministria e Shëndetësisë, pasi gripi sezonal prek masa të mëdha njerëzish.


Lidhur me situatën aktuale ka reaguar në Facebook, ish-ministri i Bujqësisë, Prof. Dr. Edmond Panariti, i cili kërkon të fillojë urgjentisht vaksinimi nga gripi me rrezik të lartë i popullatës.


Urgjentisht të fillojë vaksinimi i grupeve të popullatës me rrezik të lartë, ku përfshihen fëmijët e sistemit parashkollor dhe nëntëvjeçar, gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 65 vjeç. Duhet vepruar tani, menjëherë, me vaksinim falas për këto kategori të popullatës! Ndodhemi në fillim të ciklit të parë të gripit dhe kemi ende dy muaj e gjysmë deri në fund të periudhës së epidemisë, shprehet Panariti.


Sipas ish-ministrit nëse vajza 7-vjeçare nga Durrësi do të ishte vaksinuar, ajo sot do të ishte në jetë. Panariti citon revistën prestigjoze mjekësore “Pediatrics” duke thënë vaksinimi ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e vdekjes nga gripi te fëmijët.


“Nëse do të ishte vaksinuar ndaj gripit stinor, vajza shtatëvjeçare nga Durrësi do të jetonte. Mund të parandalojmë dëme të pallogaritshme shëndetësore. Duke perllogaritur si nevoja emergjente rreth 200 mijë doza, kosto e vaksinave është rreth 1,5 milionë euro. Duhet vepruar tani!”, nënvizon Panariti.


17 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)