TIRANE – Tri kompanitë e prekura nga bllokimi i llogarive bankare për llogari të hetimeve ndaj biznesmenit Ali Evsen, pronar i Albanian Airlines, dërgojnë në Apel çështjen e ngrirjes së parave të tyre në banka. Shoqëritë Albanian Airlines, Elite Medica sh.p.k., Albanian Electronic Company sh.p.k., dhe Noor Airways, të përfaqësuara nga avokati Vladimir Meçi, kanë bërë apelim me objekt Kundërshtimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me nr.1141 akti, me të cilin është vendosur si masë e sigurimit pasuror ajo e sekuestros preventive të llogarive bankare të kërkuesve. Avokati i kompanive në fjalë e bazon padinë e tij në nenin 6 të Konventes Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe nenin 1 të Protokollit 1 Shtesë të saj si dhe në nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenet 274-276 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas padisë së avokatit, vendimi i Gjykatës së Tiranës për sekuestron e llogarive bankare është marrë në kundërshtim me provat dhe me ligjin. Ky vendim, sipas padisë, është rezultat i interpretimit arbitrar të ligjit dhe shkel në mënyrë të hapur të drejtat pasurore të kompanive ankuese, duke cenuar rëndë të drejtën e tyre për të ushtruar qetësisht aktivitetin tregtar të krijuar në rrugë të ligjshme. Avokati thekson se sekuestro është vendosur sipas tij mbi bazën e një procedimi të paligjshëm të nisur nga Prokuroria e Tiranës. Ky procedim është regjistruar në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të plotë të provave, të cilat do të përcaktonin ekzistencën e faktit kriminal. Si bazë për fillimin e procedimit penal ka shërbyer vetëm një informacion i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili merr shkas nga njoftimi i mediave se në datën 15 qershor 2011 nga ana e autoriteteve Spanjolle është arrestuar shtetasi Ali Diyap Evsen dhe disa shtetas të tjerë. Arrestimi i tij është bërë në kuadër të një hetimi të ndërmarrë nga këto autoritete, për përfshirjen e tij në veprimtari të ryshfetit, pastrimit të parave dhe të korrupsionit në transaksionet tregtare ndërkombëtare, thuhet në padinë e bërë nga katër kompanitë e prekura nga bllokimi i llogarive bankare. Një prej tyre, Albanian Airlines, e cila ka 25 mijë bileta të rezervuara nga qytetarët për fluturime në ditët, javët e muajt në vazhdim dhe është vënë në vështirësi serioze nga bllokimi i llogarive në banka. Kjo për shkak se puna e përditshme në shërbim të udhëtarëve ka një zinxhir pagesash që nga karburantet e deri te shërbimet e tjera. Sipas padisë së bërë nga avokati, llogaritë bankare u bllokuan njëherë 72 orë dhe më pas u liruan për tu bllokuar përsëri. Prokuroria e ndryshoi disa herë bazën ligjore mbi të cilën kërkonte sekuestron preventive të llogarive bankare, pa bërë verifikime konkrete që të konstatonin nëse ka prova për vepër penale, apo jo.