Pas arrestimit në Spanjë të presidentit të “Albanian Airlines”, Ali Evsen, e ardhmja e stafit të kësaj kompanie është në pikëpyetje. Përmes një letre të hapur për mediat, stafi i “Albanian Airlines” e konsideron jo vetëm të padrejtë, por edhe të paligjshëm vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për bllokimin e llogarive të kësaj kompanie të aviacionit shqiptar. “Për 150 punonjësit e kësaj kompanie, Evsen është njeriu që i shpëtoi nga papunësia nga hedhja në rrugë, nga frika e një ekonomie të paqëndrueshme. Lufta që po i bëhet kësaj kompanie gjatë kësaj kohe, nuk është thjesht një luftë e padrejtë, por edhe një pikëpyetje e madhe për vazhdimësinë e punës së kësaj kompanie”, - shprehet stafi i kompanisë ajrore, në këtë letër të hapur për mediat. Aty sqarohet se Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave bllokoi gjithë llogaritë e kompanisë dhe i liroi ato, të premten e datës 24 qershor, por në të njëjtën ditë, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, këto llogari u bllokuan përsëri. “Ngrirja e llogarive bankare të shoqërisë “Albanian Airlines” dhe administratorëve të saj, automatikisht bllokon të gjithë aktivitetin tregtar të kësaj shoqërie. Kjo krijon një ngërç dhe paqartësi për vijimësinë e vetë ekzistencës juridike të shoqërisë, pasi ngrirja është shtrirë mbi llogaritë dhe jo mbi shoqërinë, si e tillë dhe asetet e saj. Pra ligjërisht, shoqëria duhet të vazhdojë normalisht aktivitetin e saj, për sa kohë ajo është një entitet i veçantë juridik, i dallueshëm nga administratori/administratorët e saj”, - thuhet në letrën e stafit të “Albanian Airlines”. Pronari i “Albanian Airlines” u arrestua pak ditë më parë në Madrid, së bashku me një biznesmen egjiptian, i njohur si krahu i djathtë i ish-presidentit Mubarak. Ai akuzohet se përmes kompanive të tij, ka dërguar para në llogaritë e Saleh. Aktualisht, Prokuroria e Përgjithshme i ka bllokuar Evsenit llogari bankare në vlerën e 3 milionë eurove.