TIRANË, 25 Nëntor / ATSH/. Ministria e Kulturës ka hartuar së fundmi katalogun "Albanian Books", i cili përbëhet nga 32 autorë.

Lajmin e bën të ditur vetë MK-ja në adresën e saj zyrtare në internet ku thekson se shpresohet që ky katalog të pasohet nga katalogët e përvitshëm që do të përmbajnë titujt më të mirë të vitit të sugjeruar për përkthimin dhe botimin jashtë vendit.

"Janë përzgjedhur autorë me krijimtari të pasur pas viteve '90 vepra e të cilëve është vlerësuar nga kritika, janë nderuar me çmime apo janë ndjekur nga lexuesi vendas si Luljeta Lleshanaku, Arian Leka, Agron Tufa, Ardian Kyçyku, Ridvan Dibra, Arben Dedja, etj. Po kështu janë përzgjedhur edhe autorë të afirmuar që para viteve '90, të cilët janë ende aktivë në fushën e letrave si: Zija Çela, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj etj" sqaron MK.

Në mungesë të agjencive letrare që mbulojnë këtë veprimtari, Ministria e Kulturës vendosi të hartojë këtë katalog (me të njëjtin titull me faqen e re të internetit kushtuar letërsisë shqipe "Albanian Books").

/k.m//m.m/