TIRANE- U bë e disata herë që jehu i do zërave të zgjatuar (goje pas goje) mbërrin përmes këtij kumti të turbullt: "Të ripërfshihet Albanologjia nën Akademinë e Shkencave".
Uroj fort që diçka e tillë të mos ndodhë!!! Uroj FORT që një jeh i tillë të shuhet pa u shndërruar në vendim. Do që një prapakthehu e dëshpëruar në një situatë albanologjike po kaq të dëshpëruar. Dhe sigurisht nuk do ish reformë!

Akademia e Shkencave është në një situatë po aq letargjike sa edhe albanologjia. Do ish si të shtrinim dy të sëmurë në një shtrat, pa mjek, e të rrinim në uzdaje se po shërohen. Ku ka qenë vallë Akademia në gjithë këto vite ku çështjet kombëtare kanë pasur nevojë për zërin e saj? Ku ka qenë vallë Akademia kur pushteti kërkoi të falte detin e të cënonte kufijtë e Shqipërisë? Ku ka qenë Akademia në gjithë këto vite bastisje mbi mendjet përmes Alterteksteve të marra, në të cilat edhe vetë muaji mars përfshihej në dimër, se numërimi fillonte: janar - shkurt - mars?

Ku ka qenë vallë Akademia kur vlonin debatet jashtë e brenda për ri-ndërkombëtarizim të Albanologjisë si shkencë e si e vetmja avokate e identitetit tonë kombëtar? Ku ka qenë Akademia e Shkencave kur vidheshin e piratoheshin përkthimet e ndritura të kolegëve të tyre që sot nuk rrojnë më e që prej kësi hajnish ju shua emri në mundi? Thjesht nuk ka qenë, duke mërmeritur me vete batutën e Shvejkut "ç'më duhet mua se ç'bëj unë".
Albanologjia ka nevojë për një reformë të thellë! Ka nevojë të rilidh fijet e saj të këputura me gjithë qendrat albanologjike nëpër bote, me të cilat, përveçse për qoka, nuk komunikon më.

Ka nevojë albanologjia të lidhet fort me arbëreshët e me institucionet e palodhura të tyre, të cilave as që iu përgjigjet më! Ka nevojë të mbledh rreth vetes gjithë ato djem e vajza të reja që janë diplomuar në universitetet e botës pikërisht për filologji e gjuhësi, e që punojnë në Universitetet e atjeshme pasi këtu nuk gjejnë vend nga që fusin në krizë sistemin e kalbur e të ngrirë.

Albanologjia është e vetmja shkencë e mirëfilltë që ne mund dhe duhet të bëjmë vetë se nuk ka kush ta bëjë për ne! Gjithë dispilinat e tjera mund të jenë thjesht shkenca të aplikuara.
Albanologjia ka nevojë urgjente të dal nga letargu, por kjo nuk mund të ndodh asesi duke e shtënë nën sqetullën e një tjetër letargu të madh: atij të Akademisë. Dhe teksa po i mbyll këto pak radhë të shqetësuara, më vjen ndërmend një shkrim luminar i Ardian Klosit: “Kolltuket e shqyer të Akademisë së Shkencave”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)