PRISHTINË- “Ne nuk jemi kundër, por plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian”,- është shprehur në një intervistë për Radion Europa e Lirë, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje.

Siç thekson ai, të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, janë shtete, të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre përmes reciprocitetit. Sipas tij, kundërshtimet që shtetet e Kuintit i kanë shfaqur me rastin e protestës së 14 janarit, kanë qenë të ndikuara nga Qeveria e Kosovës, e cila, siç u shpreh ai gjatë tërë kohës ka përmendur dhunën.

Lideri i Vetëvendosjes thekson se Kuvendi i Kosovës është institucion, i cili është i rrezikuar dhe i cënuar nga Qeveria e Kosovës, për shkak se kjo e fundit nuk i përfill vendimet e saj.

“Është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ta kuptojë që Republika e Kosovës është Republikë Parlamentare dhe nuk do të lejojmë që ajo të degradojë në republikë qeveritare. Sepse, kësisoj, shteti i pavarur i Kosovës do të përfundojë me një qeveri diktatoriale, pa Republikë”,- deklaroi lideri i Lëvizjes, Vetëvendosje, Albin Kurti.
(el.me/BalkanWeb)