Nga Express më 25 qershor 2011 në ora 12:37
Në mbledhjen e parë zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti edhe zyrtarisht është shpallur Kryetar pasi që më herët pa asnjë kundërkandidat është votuar nga anëtarët e 422 qendrave të Vetëvendosjes.
Në pjesën e parë të punës së Kuvendit janë prezantuar raportet dhe rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura në 422 pikat e Vetëvendosjes, në bazë të të cilave Albin Kurti ka marrë 5.682 vota për Kryetar të kësaj lëvizjeje, 31 kanë qenë kundër dhe 62 të pavlefshme.
Për zgjedhjen e Kryetarit, i cili do të ketë mandat trevjeçar, në zgjedhjet e mbajtura në pikat e Vetëvendosjes kanë marrë pjesë 60 për qind të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti ka thënë pas marrjes së besimit do të angazhohet si Kryetar i sapozgjedhur që të ketë një Kushtetutë të re për Republikën e Kosovës, e cila mundëson bashkimin kombëtar.
Gjithashtu, ai ka cekur edhe bisedimet Kosovë-Serbi, për të cilat ka thënë se janë bisedime të Edita Tahirit, për shkak se lidhur me ecurinë e këtyre bisedimeve nuk është informuar Kuvendi i Kosovës. Ndërsa është shprehur i bindur se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është e pashmangshme.
Në Kuvendin e parë zgjedhor po marrin pjesë 145 delegatë të Vetëvendosjes. Në pjesën e dytë të këtij Kuvendi do të miratohet statuti i lëvizjes, zgjedhja e 15 anëtarëve të Kryesisë në të cilën bëjnë pjesë kryetari, dy nënkryetarët, sekretari organizativ i marrëdhënieve me jashtë etj.