20/04/2012 Zgjidhet ish-këshilltari i Lëvizjes së Legalitetit, u largua nga kjo forcë
Votimi në kuti çokollatash dhe fletë votimi të improvizuara
PËRRENJAS-Aleanca “Kuq e Zi” arrin të marrë drejtimin e Këshillit Bashkiak të Përrenjasit e ndihmuar nga të majtë e parti të vogla të djathta. Ish-këshilltari i Lëvizjes së Legalitetit, Myslim Karriqi, i larguar nga kjo forcë politike u zgjodh kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Përrenjasit me shumicë votash. Këshilltarët e djathtë janë larguar nga këshilli pas akuzave që shpërthyen fillimisht për çështjen e ndihmës ekonomike, por që në të vërtetë skenari ishte krejt tjetër, rrëzimi i kryetarit aktual Bashkim Vasku dhe zëvendësimin e tij me Myslim Karriqin. Takimi është karakterizuar nga debate mjaft të ashpra, si dhe akuza të rënda mes ish-kryetarit dhe kryetarit të ri të zgjedhur nga ky këshill. Sipas këshilltarit, Myslim Karriqi, këshilli i mëparshëm akuzohet se ka mashtruar me ndihmën ekonomike duke i dhënë ndihmë edhe shtetasve që nuk jetojnë në Përrenjas e që janë emigrantë në vendet fqinj. Madje sipas Karriqit ka raste kur edhe fshatarët kanë përfituar ndihmë më shumë se qytetarët. Këshilltarët e majtë të mbështetur edhe nga disa rrjedhje nga e djathta kanë kërkuar shkarkimin e Bashkim Vaskut dhe zëvendësimin e tij me Myslim Karriqin. Në këtë çast këshilltarët e djathtë kanë dalë nga salla, ndërkohë që këshilltarët e majtë kanë zhvilluar procesin e votimit duke improvizuar si fletë votimi fletë formati të ndara me shkrim dore dhe si kuti votimi një kuti çokollatash. Me 8 vota pro e asnjë kundër kryetar i këshillit të ri është zgjedhur, Myslim Vasku. Kryetari i Bashkisë së Përrenjasit, Bajazit Karriqi, deklaroi se nuk dinte asgjë lidhur me këtë vendim për ndryshimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak. Ndërkohë prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, u shpreh se ky vendim do të shqyrtohet konform ligjit. E. Gjoni