Historiani dhe politikani Paskal Milo, i cili në analizën e krizës politike që ka mbërthyer Shqipërinë ka bërë gjithmonë thirrje për një ulje në tryezë bisedimesh mes palëve, mbrëmjen e djeshme në emisionin Arena ka thënë se kriza ka premisa për tu thelluar më tej.


Opozita e vërtetë është në rrugë dhe në 13 do dalë prapë në rrugë. Por dalja e vazhdueshme në rrugë e kësaj opozite që mund të dalë jashtë kontrollit, mund të krijojë tensione. Nuk mbështes atë që ka bërë opozita duke braktisur parlamentin, por ndodhemi para një fakti të kryer që nuk zhbëhet më dhe unë parashikoj që kriza do thellohet. Ajo opozitë nuk kthehet më në parlament dhe po ta shihni qeveria ka bërë një ofertë dhe e ka lënë derën e hapur, tha ai.


Milo, i cili e ka konfirmuar se do të futet në zgjedhjet e 30 qershorit në koalicionin me PS e drejtuar nga Edi Rama, ka theksuar gjithashtu se beson që palët në mesin e Majit do të dakordësojnë shtyrjen e zgjedhjeve.


Zhvillimet do të na sjellin, aty nga fillimi i majit kur mund të shterojnë të gjithë mundësitë për të gjetur kompromis. Do jemi para një aletërnative ose do shkojmë para zgjedhjeve të qershorit pa opozitë, ose do shtyhen zgjedhjet. Jam i prirur të besoj që do kërkohet një kompromis për shtyrjen e zgjedhjeve, theksoi Milo.