Rikthehet në spitalin ushtarak nëntetari Aleksandër Peci, i cili u plagos në misionin Eagle 4 në Kandahar në Afganistan, në 21 shkurt.

Peci mbërriti në atdhe të enjten me linjat ajrore nga Gjermania, ku dhe iu nënshtrua një kurave të specializuara mjekësore në një spital ushtarak.

Mjekët raportojnë se gjëndja e nëntetarit është e mirë dhe e qëndrueshme, por Pecit do I duhet të qëndrojë edhe 3 ditë për të vazhduar kurat e rekomanduara nga stafi mjekësor I spitalit në Gjermani.

Peci pati një takim të shkurtër me prindërit, motrat, të fejuarën dhe nipin në momentin e mbërritjes në Rinas dhe u dërgua fill për në Spitalin Ushtarak ku mjekët u konsultuan për kartelën mjekësore dhe kurat e rekomanduara për Pecin.

Nëntetari është zhvendosur nga spitali rreth orës 17:30 për në banesën e tij në lagjen 3 të Bathores, dhe paraditen e të premtes është rikthyer në spital.

Rekomandimi për të qëndruar 2-3 ditë në spital ka shtyrë vendimin e Pecit për të shkuar personalisht për t’I shprehur ngushëllimet familjes së kapitenit Feti Vogli, që mbeti I vrarë në të njëjtin sulm në Kandahar.