Kryetari i Bashkisë së Romës, Xhani Alemano gjatë vizitës së tij në Hiroshima të Japonisë me rastin e aktiviteteve përkujtimore për hedhjen e bombës së parë bërthamore gjatë Luftës së II Botërore, ka ftuar presidentin amerikan Barak Obama që të jetë presidenti i parë amerikan që viziton qytetin japonez.

“Uroj që presidenti Obama të jetë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që viziton Hiroshimën”, nisi fjalën e tij Alemano.

Më tej zyrtar i lartë i pushtetit lokal në Itali këmbënguli se vizita në Hiroshima do t’i jepte më shumë autoritet Obamës për të përballuar me sukses problemet me Iranin dhe Korenë e Veriut.

“Kjo do t’i jepte Obamës më shumë autoritet për t’u përballur me probleme si Irani dhe Koreja e Veriut. Sot rreziku i vërtetë përfaqësohet nga vendet e vogla të dominuara nga fondamentalizmi islamik të afta për t’u vënë nën zotërimin e një arme bërthamore”, u shpreh Alemano.